Rekomandimi për shtyrje të zgjedhjeve: LVV, PDK e LDK do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga Osmani

LVV, PDK e LDK janë shprehur të gatshme të marrin pjesë në takim me presidenten, Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë se LVV “janë të gatshëm të takohen me Presidenten kurdo që ajo i thërret”.

Edhe PDK ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takim me presidenten Osmani.

Zëdhënësi i kësaj partie Faton Abdullahu ka thënë se PDK asnjëherë nuk iu është shmangur takimeve institucionale dhe se do të marrin pjesë edhe në takimin e së hënës.

“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do t’i shfaqë në takim”, tha Abdullahu për Gazeta Metro.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se edhe kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Presidentja. Por kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se nuk do të pranojnë një shtyrje të zgjedhjeve.

Pal Lekaj thotë se AAK ende nuk ka vendosur nëse do të merr pjesë në këtë takim, derisa tha se të hënën do të dalin me njoftim për këtë çështje.

Nga ana tjetër Eugen Cakolli nga KDI thotë se shtyrja e zgjedhjeve lokale cenon demokracinë e Kosovës.

Ndërsa infektologu Ilir Tolaj thotë se problemi qëndron tek fushata e jo tek zgjedhjet.

“Shtyrja e zgjedhjeve derisa pandemisë nuk i dihet fundi mund të bëhet, por me problemin e njëjtë do të përballemi kurdo që ato të mbahen”, deklaroi Tolaj.