Refuzoi ofertat nga Kina dhe Lindja, Astrit Selmani pranë transferimit te klubi i njohur polak

Astrit Selmani, ish-sulmuesi i Dinamos së Bukureshtit, është shumë pranë transferimit të tij të radhës në karrierë. Pas mbylljes së bashkëpunimit me klubin rumun, për shkak të situatës së pasigurt financiare dhe pamundësisë për të garuar në Evropë, sulmuesi kosovar do të vazhdojë në Poloni te Rakow.

Selmani nuk ka mungesë ofertash, pasi interes për të kanë shfaqur disa klube, përfshirë Sheriff Tiraspol, Lech Poznan, Jagiellonia Bialystok si dhe një ekip nga kampionati kinez.

Megjithatë, ai duket se ka një preferencë të qartë për të qëndruar në Evropë dhe për të zhvilluar më tej karrierën në një ambient kompetitiv.

Sipas burimeve të “GSP.ro”, Selmani është shumë afër nënshkrimit me Rakow Czestochowa, ekip që mbylli sezonin në vendin e dytë në kampionatin polak dhe që do të marrë pjesë në kualifikimet për Ligën e Konferencës.

Klubi polak ka rënë dakord me kërkesat financiare të lojtarit, përfshirë pagën prej 25 mijë eurosh në muaj dhe një kontratë trevjeçare, e shoqëruar me bonuse të lidhura me performancën dhe sukseset në garat ndërkombëtare apo në ligë.

Rakow ka ndjekur Selmanin që nga fillimi i vitit dhe, ndonëse lojtari ka pasur një ofertë shumë më të lartë nga Azia, ai ka refuzuar kalimin atje.

Selmani u transferua te Dinamo në shkurt 2024 si lojtar i lirë pas largimit nga Hapoel Beer Sheva.

The post Refuzoi ofertat nga Kina dhe Lindja, Astrit Selmani pranë transferimit te klubi i njohur polak appeared first on Albeu.com.