Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit në rastin Ibër-Lepenc

Prokuroria Speciale e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu në rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Vargë të Zubin Potokut.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Arbnora Luta.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka deklaruar Luta për AP.

Seanca e shqyrtimit fillestar, e cila ishte mbajtur në dhjetor në rastin ndaj Jovan Viçentijeviç dhe Dragisha Viçentijeviç, të akuzuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, ishte shtyrë pasi avokatët e të akuzuarve kishin kërkuar përjashtimin e prokurorit të rastit, Bekim Kodraliu.

Sipas avokatit të Jovan Viçentijeviçit, Nebojsha Vllajiç, prokurori Kodraliu nuk e ka nisur hetimin dhe ka qenë “i anshëm”, duke shtuar se “nuk ka pranuar asnjë kërkesë të mbrojtjes gjatë procesit hetimor”.

Nga ana tjetër, prokurori Bekim Kodraliu kishte thënë se ekzistojnë pesë arsye të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale për përjashtimin e prokurorit, por sipas tij, asnjëra prej tyre nuk është argumentuar nga mbrojtja.

Shpërthimi më 29 nëntor të 2024-së, sipas autoriteteve, ka qenë i ngjashëm me veprimet ushtarake ruse kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës – pajisjeve të energjisë apo furnizimit me ujë.

Për rastin janë arrestuar disa serbë, ndërsa krahas armëve e eksplozivëve, janë konfiskuar edhe uniforma të Serbisë dhe Rusisë. Ndërsa së fundmi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për këtë shpërthim.