Gjykata Themelore e Mitrovicës ka refuzuar kërkesën për arrest shtëpiak ndaj katër policëve që u arrestuan të martën, nën dyshimin për “manipulim me prova”.
Në njoftim thuhet se Gjykata ka vlerësuar se nuk ka nevojë për caktimin e ndonjë mase.
“Me lënien në liri të të pandehurve, do të arrihet qëllimi i sigurimit të pranisë së tyre në procedurë, dhe kjo nuk do të ndikojë në pengimin apo vonimin e zhvillimit të suksesshëm të çështjes penale. Për këtë arsye, gjykata ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe ka urdhëruar që të pandehurit të lihen në liri, duke theksuar se nuk duhet zbatuar një masë më e rëndë kur është e mjaftueshme një masë më e butë për sigurimin e pjesëmarrjes së tyre në procedurë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Katër policët, Q.K., B.M., L.T., dhe F.A u arrestuan nga Inspektorati Policor i Kosovës, që rekomandoi edhe suspendimin e tyre.
Sipas IPK’së, bazuar në hetimet fillestare dyshohet se zyrtarët policorë më 13 shtator 2025 nuk kanë proceduar me rast penal në një rast të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, si dhe dyshohet se kanë fshehur si dhe kanë manipuluar me provat e gjetura në vendin e ngjarjes.
“Si pjesë e procedurave administrative IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës – Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jug edhe suspendimin për katër të dyshuarit të cilët kanë qenë me detyrë në Stacionin Policor në Mitrovicën e Jugut. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.