Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se refuzimi i kryeministrit Albin Kurtit për t’u paraqitur në prokurori është përdhosje e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, të cilat, siç thotë Hoti janë ndërtuar me sakrifica të mëdha e me mbështetjen e parezervë të miqve.
Tutje, Hoti për Kurtin ka thënë se me këto sjellje po i vë njollë rendit kushtetues dhe demokracisë në Kosovë.
“Sot, Kosova ka qenë në titujt e mediave ndërkombëtare për këtë sjellje të Kurtit. Por ky nuk e ka për herë të parë që i vë njolla shtetit të Kosovës. Njësoj ka ndodhur edhe kur gjuante gaz në Kuvend, apo kur protestonte disa ditë para shpalljes së pavarësisë”.
“Barazia para ligjit është fundamenti i demokracisë. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka shpëtim askush nga drejtësia. Është vetëm çështje kohe”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Përndryshe, Kurti nuk po i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur si dëshmitar sa i përket çështjes se “Rezervave Shtetërore”.
Ai ka kërkuar nga prokurorët që ta intervistojnë në zyrën e tij.