Refuzimi i Asllanit “komplikon” misionin e Interit për Lookman. Mesfushori shqiptar i thotë “jo” Betisit

Interi po punon këto ditë kryesisht në merkaton e largimeve, me synim që të sigurojë fondet e nevojshme për të nisur sulmin vendimtar ndaj Ademola Lookman. Sulmuesi i Atalantës është objektivi numër një i Marotta e Ausilio për ta përforcuar repartin ofensiv në dispozicion të trajnerit Chivu, pasi Atalanta e refuzoi ofertën e parë prej rreth 40 milionë eurosh, të paraqitur nga zikaltrit.

Ndër lojtarët e caktuar për t’u larguar nga Interi gjatë kësaj merkatoje verore është edhe mesfushori Kristjan Asllani. Por, më shumë se kurrë, në këtë rast përdorimi i mënyrës dëshirore nuk ka vlerë. Kjo sepse, sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, shqiptari i lindur më 2002 ka refuzuar si destinacion të mundshëm klubin spanjoll, Real Betis.

Bisedimet me spanjollët dukeshin mjaft premtuese, por në momentin që vetë Asllani ka këmbëngulur dhe ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga Italia dhe Serie A, të paktën për momentin, çdo mundësi u shua dhe negociatat dështuan.

I blerë nga Empoli për 14 milionë euro në merkaton e verës 2022, Asllani nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë që Interi kishte për të. Tani është vendosur në merkato, por gjetja e një destinacioni për të nuk do të jetë detyrë e lehtë.

The post Refuzimi i Asllanit “komplikon” misionin e Interit për Lookman. Mesfushori shqiptar i thotë “jo” Betisit appeared first on Telesport.