Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
Reformimi i administratës publike në Kosovë është në agjendat qeveritare tash e njëzet vjet. Janë hartuar strategji të shumta, plane veprimi për zbatimin e atyre strategjive si dhe janë krijuar komisione të shumta për mbikëqyrjen e zbatimit dhe më pastaj gjithçka është ndalur me ndërmarrjen e veprimeve për zbatim.
Ekziston një perceptim i gabuar në Kosovë se reforma në administratën publike nënkupton ndërmarrjen e veprimeve në fushën e legjislacionit me presupozimin se zbatimi i mëtejmë i reformës është rrjedhojë e pritur. Ky botëkuptim legalist është dëshmuar të jetë i pamjaftueshëm për çfarëdo lloj reforme e aq më pak për reformën e administratës publike. Andaj, të gjitha përpjekjet e bërë deri më tani nuk kanë arritur të sjellin ndonjë rezultat që vlen të përmendet.
Gjatë dekadës së fundit është bërë përpjekje që fusha e veprimtarisë administrative të rregullohet maksimalisht përmes bazës ligjore mirëpo është vërejtur se përqendrimi ka qenë tek hartimi i legjislacioni primar duke neglizhuar hartimin e akteve nënligjore e që janë të domosdoshme për të kuptuar dhe lehtësuar zbatimin e legjislacionit primar. Jo rrallë, gjatë përpjekjes për zbatimin e ligjeve që derivojnë nga strategjitë për reformën e administratës, janë krijuar praktika të kundërta me qëllimin e ligjit si dhe janë regjistruar veprime e vendime krejtësisht të kundërta të organeve administrative për raste të njëjta por në komuna të ndryshme. Në mungesë të akteve nënligjore, organet administrative, sidomos ato në nivel komunal, i kanë interpretuar dispozitat ligjore në mënyra të ndryshme duke shpërfaqur pasiguri juridike në raport me qytetarët. Në këtë mënyrë, në vend që të shënohen përparime në zbatimin e ligjeve që derivojnë nga reforma e administratës publike, janë evidentuar shkelje të shumta të të drejtave dhe interesave të qytetarëve e që është interpretuar si moszbatim i ligjeve, rrjedhimisht i reformës në administratë. Raste të tilla janë paraqitur gjatë zbatimit të ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, ligjit për zyrtarët civil, ligjit për vetëqeverisje lokale, etj.
Reformat e vazhdueshme të administratës publike në Kosovë janë një projekt tejet i shtrenjtë dhe me rezultate minimale. Reforma në administratë është e nxitur kryesisht nga kërkesat dhe presioni i BE-së sesa nga vullneti i klasës udhëheqëse shtetërorë. Mbikëqyrja e performancës, përcaktimi i qëllimeve dhe planifikimi strategjik janë të orientuara drejt procesit dhe jo rezultateve, dhe rrjedhimisht rezistenca burokratike dhe neglizhenca politike ndaj ndryshimit vazhdojnë. Për më tepër, mungesa e një vizioni të qartë por edhe njohurive për rëndësinë e reformës administrative e ka shndërruar procesin në një përpjekje të vazhdueshme që harxhon shuma të mëdha në vit nga buxheti pa dhënë ndonjë rezultat të dukshëm apo të matshëm.
Administrata publike në Kosovë mund të nxjerrë disa përvoja të mira nga reformat e zhvilluara në kontekstet tjera, me theks të veçantë nga konteksti slloven dhe ai kroat. Fillimisht, nga konteksti slloven u bë e qartë se reformimi i administratës publike mund të ketë sukses atëherë kur qasja e nivelit politik është pro-aktive dhe konsistente. Për më tepër, rekrutimi, avancimi dhe menaxhimi me shërbyesit civilë duhet të jetë i decentralizuar me qëllim të minimizimit të ndërhyrjeve politike. Reforma e administratës publike duhet të përcillet edhe me ndryshime të thella në programet e trajnimeve profesionale për shërbyesit civilë duke krijuar programe të posaçme për nivele të ndryshme të nëpunësve publikë.
Nga ana tjetër, përvoja kroate dëshmon qartë se kërkesat minimale për reformë të administratës publike janë: vullneti politik, shkathtësitë e shërbyesve civilë, krijimi i politikave orientuese dhe avancimi i shkathtësive të punonjësve të administratës. Ndër të tjera, reforma e administratës publike mund të zhvillohet kur ajo udhëhiqet nga liderë të fuqishëm që kanë ndikim politik por duke u përkrahur nga ekspertë dhe njohës të mirë të programeve të reformës. Theks të veçantë i jepet edhe komunitetit akademik në hartimin e strategjive reformuese.
Pra, reforma duhet të zhvillohet në një frymë gjithëpërfshirëse ku strukturat e ndryshme bashkëpunojnë ngushtë me njëra tjetrën duke eliminuar ndikimin e rrjeteve të politizuara joformale brenda administratës publike. Gjatë gjithë zbatimit të reformës, mekanizmat e luftimit të korrupsionit duhet të jenë në veprim për të parandaluar dukuritë korruptive dhe për të ndëshkuar devijimet ligjore. Pra, sipas përvojës kroate, për dallim nga rasti i Kosovës, korrupsioni në administratën publike luftohet pasi të sigurohet vullneti politik, konsensusi shoqëror dhe krijimi i institucioneve që kanë kompetenca të fuqishme ekzekutive në hetimin dhe dënimin e rasteve.