Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas reduktimeve me energji elektrike, duke thënë se kjo është dëshmi e qartë “e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik”.
Hoti ka thënë se është e papranueshme që në 2026 qytetarët dhe bizneset të përballen me ndërprerje të rrymës.
“Askush nuk mund të fshihet pas njoftimeve teknike, kur përgjegjësia është politike dhe direkte. Energjia nuk është luks, është e drejtë themelore. Çdo reduktim është dëshmi e qartë e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit dhe neglizhencës ndaj interesit publik. Qytetarët po paguajnë çmimin e dështimit të kësaj qeverie me errësirë, me dëme ekonomike dhe me pasiguri”, ka shkruar Hoti.
Mbrëmë, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) njoftoi se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit.
Sipas KOSTT-it, kjo ndodh për shkak të diferencës mes nominimeve dhe konsumit real në ditët e fundit.
Devijimet kanë rritur rrezikun për stabilitet dhe mund të sjellin masa ndëshkuese ndaj KOSTT-it nga rrjeti evropian.
Kosova është antarësuar në ENTSO në vitin 2020 dhe kjo shënon hapin kryesor të shkëputjes së Kosovës nga Serbia në energjetikë. Me këtë anëtarësim KOSTT është bërë zotërues i linjave të transmisionit për Kosovën, e jo sic është njohur Kosova si zonë e Serbisë në energjetikë para vitit 2020.










