Redaktorja e lajmeve qendrore të RTK`së, Blerta Foniqi – Kabashi është distancuar nga kronika e mbrëmshme e transmetuar në RadioTelevizionin Publik të Kosovës , ku citohet një medium boshnjak, e ku mediat Periskopi e Nacionale sulmohen ashpër përmes RTK`së dhe pushtetit.
Foniqi, në një reagim të gjatë ka thënë se distancohet nga ajo çka ka ndodhur mbrëmë, duke garantuar se punën e saj do ta vazhdoj me profesionalizëm dhe pa iu nënshtuar askujt.
“Sikurse kam qenë pjesë e protestave të vitit 2015 për një RTK të publikut, vazhdoj edhe sot të kundërshtoj çdo gjë joprofesionale, pa u frikësuar e nënshtruar ndaj askujt!”, ka shkruar ajo ndër të tjera.
Reagimi i plotë i Blerta Foniqit – Kabashit:
#unëdistancohem me keqardhje!
Babë e bijë!
Zaten kanë qenë gazetat në tavolinë, disa tablo letrash për makinën e shkrimit, e disa lapsa, por mbi të gjitha përkushtimi i babait tim, që e lakmoja.
Në vitet e 90-ta nuk mbaj mend shumë. Punën e tij në RTP e kujtoj turbullt. Më kujtohen vetëm zyrat në një korridor të gjatë në objektin ku sot punon AKP-ja, ndoshta me disa renovime kozmetike, por po në ato kushte të viteve të 90-ta.
Nuk është për fajin e babait tim që kujtimi për RTP-në më është ndërprerë. Pikërisht sot janë bërë 33 vjet kur forcat serbe me dhunë larguan shqiptarët nga puna, duke e ndal transmetimin shqip.
Si gjashtë vjeçare e mbaj në mend vetëm fytyrën e babait. Një fytyrë që fliste shumë. Nuk kisha nevojë të bëja pyetje. E dija se diçka e keqe ka ndodhur, por nuk e dija se nuk do të ndalej me aq.
Me tu afruar tek banesa, ballkoni ynë ishte i stërmbushur me policë serbë, ndërsa gjërat tona ishin hedhur përjashta. Mami ende nuk e dinte se çka kishte ndodhur. I treguam ne. Ajo po punonte me qetësi në “Rilindje”. I korrektonte shkrimet e asaj kohe.
Momenti qe i gjatë, sikur nuk sosej kurrë!
Brenda ditës, babi e mami u përndjekën nga puna, ndërsa në banesën tonë u vendos një kriminel serb, për të cilin viteve të fundit pata mësuar se jeton në veri të Mitrovicës, i angazhuar në strukturat kriminale.
Ato pak gjëra që kishin shpëtuar i patëm strehuar tek një fqinj i yni, po ashtu gazetar.
Nga ajo ditë RTP nuk u lëshua më në shtëpinë tonë. Aq kishim frikë nga babi sa që me telekomandë në duar e kalonim RTP-në me shpejtësinë e dritës.
Nuk kemi vdekur urie, por prindërit e mijë e dinë se në çfarë peripecish kanë kaluar atyre viteve, por asnjeherë nuk iu ka shkuar ndër mend që të nenshtrohen.
Angazhimi i babit për edicionin nga Kosova në TVSH është storje në vete. Çdo raportim të tij e prisnim me padurim. Atëherë isha edhe më e rritur, e kuptoja edhe më mirë peshën e fjalës. Por, frika ishte shumë e madhe. Sa herë që e kalonte kufirin pa u torturuar, ishte festë në shtëpinë tonë. E dëgjoja mamin teksa thoshte se shpëtoi edhe kësaj radhe. Por, kështu nuk ndodhte gjithmonë, fatkeqësisht!
Le të themi se erdhi liria…sa për t’i rënë më shkurt.
Korriku për babin tim shënon 33 vjetorin e largimit dhunshëm nga RTP. Korriku për mua shënon 25 vjetorin kur për herë të parë nisa punën me përkushtimin e njëjtë të babit tim.
Për këto 25 vjet në gazetari, nuk e mbaj në mend asnjë moment kur jam ndier e turpëruar. Pëkundrazi, jam munduar që të jap kontribut profesional në çdo situatë.
Sikurse kam qenë pjesë e protestave të vitit 2015 për një RTK të publikut, vazhdoj edhe sot të kundërshtoj çdo gjë joprofesionale, pa u frikësuar e nënshtruar ndaj askujt!
Andaj, pa qenë fare përgjegjëse për situatën e fundit të krijuar, ndjej keqardhje dhe krejt çka mund të bëjë, është të vazhdoj të punoj me profesionalizëm dhe pa kompromis brenda përgjegjësive të mija!
#unëdistancohem me keqardhje!
https://www.facebook.com/blerta.foniqikabashi/posts/10160127974746186?ref=embed_post