Redaksionale: Dita e fundit e pushtetit të Albin Kurtit, që Kosovën e la pa miqtë e saj më të mëdhenj

Sot është një nga ditët që do të hyjë në historinë e re parlamentare të Kosovës, pasi deputetët e Kuvendit mbajnë në duar jo vetëm fatin e një qeverie, por edhe drejtimin politik e strategjik të vendit.

Votimi kundër Albin Kurtit si kandidat për kryeministër dhe për kabinetin e tij të ri të Vetëvendosjes nuk është një procedurë e zakonshme: është një test i maturisë politike dhe i përgjegjësisë shtetërore që rëndon mbi supet e partive politike që ishin së bashku në formimin e shtetit të Kosovës.

Nëse ka një mesazh që sot duhet të dëgjohet qartë në sallën e Kuvendit, ai është ky: Kosova nuk mund të vazhdojë më të udhëhiqet nga një person që ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet me aleatin kryesor të Republikësë Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendin e tyre të pazëvendësueshëm në historinë e Kosovës për liri dhe pavarësi.

Andaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë në duar fatin që t’i japin fund retorikës antiamerikane dhe qëndrimeve sfiduese ndaj aleatëve perëndimorë, që kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të shtetit dhe kanë izoluar Kosovën në momente kur nevojitej diplomaci e urtësi.

Por, sikur mos të mjaftonte vetëm përplasja me aleatët perëndimorë, Kurti dhe Vetëvendosje e kanë çuar shoqërinë kosovare drejt një polarizimi të skajshëm dhe gati në përplasje.

Brenda vendit, nepotizmi, klientelizmi dhe korrupsioni kanë marrë trajta të reja, nën maskën e “drejtësisë sociale”. Institucionet janë përdorur si mjete për ndëshkim politik dhe për përqendrim të pushtetit në duart e një partie që, në thelb, refuzon ta njohë plotësisht vetë Republikën që e udhëheq.

Deputetët kanë përballë një pyetje të thjeshtë, por me peshë historike: a do të votojnë për vazhdimin e një modeli qeverisjeje që ka konsumuar energjinë institucionale të vendit dhe ka përçarë aleancat ndërkombëtare, apo do të hapin rrugën për një kthesë të re politike që e vendos Kosovën në binarët e saj natyralë euroatlantikë?

Mosvotimi i Albin Kurtit sot nuk është thjesht një akt politik kundër një partie apo një individi. Është një akt përgjegjësie shtetërore, një mundësi për t’i dhënë fund arrogancës politike, konfliktit të brendshëm dhe izolimit ndërkombëtar që e ka lodhur shoqërinë kosovare.

Kuvendi i Kosovës sot e ka mundësinë të dëshmojë se Republika është më e fortë se çdo individ, se shteti nuk është pronë e asnjë partie dhe se miqësia me SHBA-në e aleatët perëndimorë nuk është opsion, por themel i ekzistencës sonë.

Historia do t’i kujtojë ata që sot guxojnë të ndajnë rrugën me populizmin dhe të zgjedhin shtetin. /Demokracia.com/