Bajram H. Hajrizi, familjar i martirëve të Masakrës së Reçakut, ka reaguar ashpër pas publikimeve se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka qenë asistent i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq — e njohur për përpjekjet për ta fshehur masakrën e janarit të vitit 1999.
“Si familjar i martirëve të Masakrës së Reçakut, ndjej dhimbje dhe indinjatë të thellë. Është e pabesueshme dhe e turpshme që sot, pas tri vitesh në krye të Prokurorisë, zbulohet se Kelmendi ka qenë pjesë e strukturave serbe më 16 janar 1999, ditën kur ndodhi masakra,” ka deklaruar Hajrizi.
Sipas tij, fakti që Kelmendi sot udhëheq sistemin prokurorial të Kosovës “është fyerje për martirët dhe poshtërim për familjet e tyre”.
Hajrizi ka kritikuar edhe Presidenten Vjosa Osmani, duke e quajtur “vendim të gabuar” mbajtjen e Kelmendit në detyrë, si dhe ka kërkuar përgjigje nga kryeministri Albin Kurti, duke theksuar se “heshtja nuk është zgjidhje”.
“Pas dëshmisë së sotme, Kelmendi nuk mund të qëndrojë më asnjë ditë në atë pozitë. Kërkoj dorëheqjen e tij të menjëhershme ose shkarkimin nga Këshilli Prokurorial. Reçaku nuk meriton këtë turp. Drejtësia nuk mund të udhëhiqet nga dikush që ka qenë në anën e gabuar të historisë,” ka përfunduar reagimin Bajram H. Hajrizi.
Ish-asistenti i Danica Marinkoviqit, Besim Kelmendi intervistohet sot nga Prokuroria Speciale











