Real Madridi interesohet për transferimin e sensacionit anglez të Bundesligës

Real Madridi e ka bërë pjesë të politikës së tyre për të transferuar lojtarët e rinj më të mirë në botë dhe teksa në vitet e fundit ata janë fokusuar më shumë në tregun brazilian, nënshkrimi me Jude Bellingham ka bërë që ata të monitorojnë edhe tregun evropian.

Sipas një raportimi nga mediumi spanjoll Relevo, Real Madridi ka shprehur interesim për sulmuesin e Borussia Dortmundit, Jamie Gittens. 

20-vjeçari po shijon një sezon fantastik në ‘Signal Iduna Park’ teksa ai kishte rënë në syrin e drejtuesve madrilen edhe më parë këtë sezon kur të dyja ekipet u përballën në Ligën e Kampionëve. 

I aftë që të operojë në të dy krahët e sulmit, Gittens ka qenë një titullar i rregullt për Dortmundin këtë sezon dhe ka 11 gola dhe katër asistime në 34 ndeshje deri më tani. 

Përkundër aftësisë së tij për të finalizuar aksionet, Gittens njihet edhe për driblimet e tij të cilat shpeshherë dinë të thyejnë mbrojtjet kundërshtare. 

Gittens ka një mesatare të driblimeve më të lartë se sa çdo lojtar tjetër në Bundesliga (4.3 driblime për 90 minuta) me një saktësi mbi 50 për qind. 

I ardhur nga Manchester City në vitin 2020, Gittens është futur në mesin e disa lojtarëve anglezë që kanë marrë hapat e parë në Gjermani. 

Sidoqoftë Real Madridi pritet të përballet me konkurrencë për të siguruar shërbimet e tij, pasi për Gittens interesim të fortë ka shprehur edhe Arsenali. 

‘Los Blancos’ momentalisht nuk e kanë në plan të bëjnë ndonjë lëvizje për të, por në rast se shfaqet një mundësi e mirë, ata do ta konsiderojnë atë.