Rodrygo Goes ndodhet në një moment aspak të mirë te Real Madridi, pas një sezoni me luhatje të mëdha dhe nën pritshmëri.
Sulmuesi brazilian nuk është më i sigurt për vendin e tij në skuadër dhe klubi ia ka bërë të qartë se do të qëndrojë vetëm nëse tregon një përmirësim të dukshëm fizik dhe mendor.
Pas lëndimit misterioz që e la jashtë ndeshjeve të fundit, ai nuk ka luajtur që nga finalja e Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës më 26 maj, ku u zëvendësua pas pjesës së parë.
Megjithëse është parë në disa seanca stërvitore, mungesa e informacionit mjekësor dhe mosftesa nga kombëtarja braziliane kanë shtuar paqartësitë rreth tij.
Me ardhjen e Xabi Alonsos si trajner, Real Madridi ka nisur një epokë të re dhe ka kërkuar sqarime të drejtpërdrejta nga lojtari për përkushtimin e tij.
Rodrygo ka shprehur dëshirën për të qëndruar, por drejtuesit i kanë vendosur kusht: duhet të rilidhet me ekipin dhe të tregojë performancë bindëse në fushë, në të kundërtën do të shitet.
Kupa e Botës për Klube në qershor shihet si testi i madh për të dhe nëse nuk bind, atëherë do të nxirret në shitje nga Los Blancos.