Real Madrid – Xabi Alonso, nis faza e re e kontakteve

Real Madridi apo Bayer Leverkuseni, kjo është dilema.

Po vazhdon telenovela që lidhet me Xabi Alonson dhe me trajnerin e ri të Real Madridit.

Pas humbjes së dyfishtë nga Arsenali, e cila i kushtoi me eliminim nga Liga e Kampionëve, historia e dashurisë mes madrilenëve dhe Carlo Ancelottit duket se po shkon drejt fundit.

Trajneri italian po vazhdon të preferojë të mos flasë për të ardhmen e tij, siç ndodhi edhe dje në konferencë për shtyp.

“Të qëndroj për të marrë hak? Nuk kam se pse të marr hak ndaj askujt. Unë e adhuroj këtë bankinë, shpresoj që të qëndroj sa më gjatë të jetë e mundshme”, u shpreh “Don Carlo”.

Por, situata duket se është ndryshe, të paktën sipas asaj që raporton nga “Sky Sports De”, përcjell “Gazeta Express”.

Në fakt, Inaki Ibanez, këshilltari kryesor i Xabi Alonsos, thuhet se në ditët e kaluara ka pasur kontakte të reja me Real Madridin.

Një situatë që në fakt nuk do ta befasonte Bayer Leverkusenin, i cili momentalisht është duke e pritur zgjedhjen e trajnerit.

Në rast se i arrin një ofertë, klubi gjerman do t’i kërkojë 15-20 milionë euro si dëmshpërblim për ta liruar trajnerin e tij.

Për momentin, “Los Blancos” nuk e kanë kontaktuar ende direkt Leverkusenin, por me shumë mundësi bisedimet do të avancojnë në fund të sezonit.

Ndër të tjera, për t’u përgatitur për një largim të mundshëm të trajnerit, “Farmaceutikët” janë duke menduar qysh tash për trajnerin e ri dhe për përforcimet që do t’i bëjnë në verë.

Natyrisht, shpresa vdes e fundit për Leverkusenin dhe ajo është që Xabi Alonso të vazhdojë të qëndrojë në Bundesligë. /Gazeta Express