Real Madridi ka arritur një fitore të vlefshme me rezultat 3:1 ndaj ekipit meksikan Pachuca, në ndeshjen e Kupës së Botës për Klube, edhe pse për gati nëntëdhjetë minuta ka luajtur me një lojtar më pak.
Kartoni i kuq i Raúl Asencio në fillim të ndeshjes e ka vënë ekipin spanjoll në vështirësi që në nisje.
Gjithçka ka nisur kur sulmuesi i Pachucas, Salomon Rondon, i ka shpëtuar mbrojtjes dhe Asencio e ka ndalur me faull si mbrojtësi i fundit, duke u ndëshkuar me të kuq. Pas këtij momenti, Pachuca kishte disa raste të mira, por është ndalur nga pritjet vendimtare të Thibaut Courtois.
Megjithatë, ka qenë Real Madrid që ka kaluar në epërsi kundër rrjedhës së lojës. Jude Bellingham ka shënuar golin e parë pas një kombinimi me Fran Garcia, duke goditur saktë me këmbën e majtë. Pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, një tjetër aksion i shpejtë i Real ka përfunduar me golin e Arda Guler, pas asistit nga Trent Alexander-Arnold dhe Gonzalo Garcia.
Në pjesën e dytë, Pachuca ka tentuar të përfitojë nga epërsia numerike dhe ka pasur një rast të artë me Rondon, por topi ka përfunduar jashtë. Shpresat e ekipit meksikan janë shuar përfundimisht kur në një kundërsulm, Federico Valverde ka shënuar golin e tretë për Real pas asistit të Brahim Díaz.
Pachuca ka arritur të shënojë një gol nderi në fund me një goditje të Elías Montiel, e cila është devijuar nga Aurelien Tchouameni, por ka qenë tepër vonë. Kjo ka qenë humbja e tretë radhazi e Pachuca ndaj skuadrave evropiane në këtë turne, dhe eliminimi i tyre tashmë është zyrtar.
Për Real Madrid, kjo ka qenë fitorja e parë në turne nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso./rtk
The post Real Madrid fiton me dhjetë lojtarë ndaj Pachuca appeared first on Kosovapost.net.