Reagon VV pas propozimit të Veselit për pezullimin e taksës
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka komentuar propozimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, që të pezullohet taksa prej 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Ajo në një prononcim për Kallxo.com tha se sulmi që po i bëhet taksës ndaj Serbisë nga vetë partnerët e koalicionit, është shumë i dëmshëm dhe jo i drejtë.
“Vendosja e taksës është njëra nga punët e rralla të mira që ka bërë kjo Qeveri. Ne besojmë se me Serbinë duhet të ketë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtarë. Por, reciprociteti duhet të jetë parimi dhe jo revanshimi ad-hoc dhe i pa plan”, tha Nagavci.
Sipas deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, sulmi që po i bëhet taksës ndaj Serbisë nga vetë partnerët e koalicionit është shumë i dëmshëm dhe jo i drejtë.
“Madje është edhe paradoksale se sa të paqëndrueshëm janë, derisa para pak ditësh ngarendnin në marrjen e meritave dhe e paraqisnin si ide të tyre taksën, sot po flasin për pezullimin e saj”, tha Nagavci.
Ajo ka shtuar se kjo formë tregon që taksa po përdoret për interesa personale.
“Pikërisht ky joseriozitet i institucioneve të Republikës së Kosovës ka për pasojë cenueshmërinë e lehtë përmes presioneve siç është edhe rasti i taksës dhe e gjithë kjo tregon se Veseli dhe të tjerët si ai kanë interesin personal dhe atë të ngushtë partiak e klanor mbi interesin e përgjithshëm të vendit”, tha Arbërie Nagavci për Kallxo.com.
Dje gjatë ditës, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se gjatë takimit të javës së kaluar me ambasadorin amerikan ka propozuar pezullimin e taksës për 120 ditë.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka publikuar dje 5 kushte për të hequr taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.