Reagon Presidenca pas deklaratave të Gërvallës e Pecit: Presidentja nuk bën ftesa kot, s’është koha për hipokrizi

Pas deklaratave të ministrave në detyrë, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, lidhur me ftesën e Presidentes së Kosovës për një takim me liderët politikë për të zhbllokuar situatën në Kuvend, ka reaguar Presidenca.

Këshilltari për media i Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka theksuar se ftesa e kreut të shtetit ka qenë në përputhje të plotë me Kushtetutën, me qëllim të garantimit të funksionimit të institucioneve demokratike, në një kohë kur vendi po përballet me një krizë të thellë politike.

“Qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë të dështimeve të njëpasnjëshme, më saktësisht 13 herë, të Kuvendit për t’u konstituuar. Në një situatë të tillë, kur qytetarët shohin moskonstituimin e institucioneve si dhe pasojat e kësaj situate për shtetin e Kosovës, për ne është totalisht e pakuptimtë të flitet për ‘përmbajtje të ftesës’”, tha Kupina.

Ai kritikoi qëndrimin e dy ministrave, duke përkujtuar përvojat e mëhershme të liderëve të Vetëvendosjes në situata të ngjashme.

“Nëse është dikush në Kosovë që e di shumë mirë që Presidentja nuk bën ftesa kot e as nuk shkruan përmbajtje kot të ftesave, janë pikërisht z. Peci dhe znj. Gërvalla. Poashtu, nëse është dikush që e di fort mirë që Presidentja e njeh tepër mirë edhe Kushtetutën e vendit e edhe kompetencat e saj, janë pikërisht këta dy.”

Kupina shtoi se nuk di nëse qëndrimet e tyre janë në përputhje me qëndrimet zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë nuk e di nëse ata kanë folur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kur kanë paraqitur sot kushte të tilla, sepse siç e dini edhe ju, z. Kurti i përgjigjej pozitivisht edhe ftesave të Presidentit Thaçi e edhe ftesave të Presidentes Jahjaga (kur kemi pasur një situatë të ngjashme në vitin 2014), prandaj mospërgjigja në ftesën e Presidentes Osmani në një situatë kur vendi po përballet me një bllokadë të rëndë nga e cila pësojnë qytetarët, do të ishte e paprecedentë.”

 “Ftesa do të jetë ftesë për takim, pra nuk do të ketë ndonjë filozofi aty. Nuk është koha për hipokrizi por për të treguar nivelin më të lartë të përgjegjësisë shtetërore, sepse qytetarët meritojnë seriozitet maksimal për tema të interesit nacional”, tha tutje Kupina.