Reagon OVL-UÇK: Nuk është ligjëratë e rastësishme, por “kontroll dëmi” pas shkeljeve ndaj të drejtave të akuzuarve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pasi në një shkollë të Prishtinës u ligjëruar nga Gjykata Speciale.

Sipas kësaj organizate, kjo nuk ishte ligjëratë e rastësishme.

“Kjo që po shohim nuk është ligjëratë e rastësishme, por përpjekje e qartë e Dhomave të Specializuara për “kontroll të dëmit” ndaj imazhit të tyre të rënduar, pas shkeljeve të njëpasnjëshme që i kanë bërë ndaj të drejtave themelore të të akuzuarve dhe ndaj vetë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në ragim.

OVL-UÇK thotë se “Gjykata Speciale duhet ta përmirësojë besueshmërinë e saj duke respektuar Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë”.

“Këto skena na përkujtojnë se, në mënyrë të ngjashme, dikur kanë vepruar edhe organet e pushtetit në ish-Jugosllavi, përkatësisht Lidhja Komuniste dhe Lidhja Socialiste, të cilat pas demonstratave të lëvizjes studentore të vitit 1981 organizonin mbledhje nëpër fshatra dhe kolektive pune, me qëllim të dënimit të organizatorëve të këtyre demonstratave dhe të përgatitjes politike e psikologjike të popullit për t’i pranuar si të mirëqena dënimet drakonike që pushteti i atëhershëm po përgatitej t’ia shqiptonte rinisë shqiptare shqiptare. Kjo qasje e njohur e propagandës dhe presionit institucional nuk i shërben drejtësisë, por imponimit të një narrative të parapërgatitur”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka renditur shkeljet kryesore që e kanë dëmtuar rëndë besueshmërinë e Gjykatës Speciale janë:

  1. Shkelja e parimit të barazisë para ligjit, duke ndjekur penalisht vetëm një palë, luftën çlirimtare të UÇK-së, ndërkohë që krimet serbe mbeten të pandëshkuara.
  2. Mohimi i vazhdueshëm i lirimit të përkohshëm, edhe në rrethana humanitare, në kundërshtim me praktikën evropiane dhe parimin e proporcionalitetit.
  3. Zgjatja e pajustifikueshme e paraburgimit, pa vendime përfundimtare, duke e shndërruar paraburgimin në dënim paraprak.
  4. Cenimi i dinjitetit njerëzor të të paraburgosurve, përmes kushteve kufizuese dhe trajtimit që nuk i përgjigjet standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  5. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies publike, përfshirë refuzimin për të adresuar shqetësimet e institucioneve dhe organizatave të veteranëve.
  6. Ndërhyrje indirekte në sfera të ndjeshme shoqërore, si arsimi, pa autorizim institucional dhe pa debat publik, gjë që ngre dyshime serioze për ndikim dhe propagandë.