Reagon kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë: Thirrjet antishqiptare në Kumanovë të papranueshme

Në Maqedoninë e Veriut, gjatë një ndeshje basketbolli që ky shtet po zhvillonte kundër Rumanisë, shpërthyen thirrjet raciste antishqiptare.

Në momentet që këto kore raciste shpërthyen, i pranishëm ishte edhe Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Për këto thirrje raciste ka reaguar edhe Elisa Spiropali, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila thotë se gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport.

Ajo ka vlerësuar reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi reagim më të fortë.

“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”.

“Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik. Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, ka shkruar ajo në Facebook.