Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lirimit të Azem Sylës, i cili do të mbrohet në liri.
Nëpërmjet një shkrimi në “Facebook”, Haxhiu ka thënë se Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha dhe Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, po hedhin hi syve me deklarata mashtruese kinse në Kosovë po luftohet korrupsioni.
Ajo ka thënë se gjyqtari Beqir Kalludra, liroi Azem Sylën e Nexhat Krasniqin, të cilët kanë qenë të dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas saj, me “gjyqësinë e kapur”, nuk do të ketë liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës.
Statusi i plotë i Albulena Haxhiut në “Facebook”:
“Vetëm brenda një dite, kuptojmë se Beqir Kalludra (gjyqtari që na dënoi për veprime politike dhe dënoi me mbi 21 vite burg aktivistët), liroi nga paraburgimi njeriun që dyshohet për krim organizuar e korrupsion, Azem Sylen ndërsa Nexhat Krasniqi, i dënuar me vendim të formës së prerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, rikthehet në postin drejtorit të prokurimit ne MTI.
Përveç kësaj, para jo shumë kohe, Enver Hasani, për veprime korruptive u dënua me kusht dhe shumë raste të tjera të korrupsionit parashkruhen qëllimshëm!
Kosova vazhdon të përballet me krim të organizuar e korrupsion dhe pershkaqenët e krimit amnistohen për veprimet e tyre korruptive.
Dhurata Hoxha e Abelard Tahiri vazhdojnë të hedhin hi syve me deklarata mashtruese se kinse në Kosovë po luftohet korrupsioni dhe kinse nëse votohet falja e territorit, liberalizohen vizat.
Me gjyqësinë e kapur, që terrorizon Vetëvendosjen dhe liron shkatërruesit e mirëqenies sonë, s’do të ketë liberalizim vizash”!