Reagon Bordi i KRM “Pastrimi”: Kërkohet zgjidhje urgjente për shërbimet bazë dhe pagesat e papaguara

Pas situatës së tensionuar mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë së pastrimit, ka reaguar Bordi i Drejtorëve të KRM “Pastrimi” Sh.A., duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe duke kërkuar zgjidhje urgjente të problemit themelor që ka bllokuar shërbimet ndaj qytetarëve, njofton Demokracia.com.

“E vlerësojmë çdo përpjekje për fillimin e bashkëpunimit dhe angazhimit në adresimin e situatës së krijuar me largimin e mbeturinave”, thuhet në reagimin e bordit.

Në njoftim sqarohen edhe detajet e kontratës së fundit të nënshkruar me Komunën, e cila, sipas kompanisë, ka të bëjë vetëm me mirëmbajtjen e hapësirave sipërfaqësore si parqet dhe lagjet, dhe nuk ka lidhje me shërbimin bazë të largimit të mbeturinave.

“Kontrata për mirëmbajtje është një shërbim shtesë, i dakorduar me përfaqësuesit e punëtorëve, por nuk e zgjidh problemin kryesor – mungesën e pagesave për më shumë se katër muaj, që janë të domosdoshme për furnizimin me naftë dhe rifillimin e operimit të rregullt,” thekson bordi.

Në fund, Bordi i “Pastrimi”-t kërkon nga Komuna e Prishtinës që të ulen urgjentisht për të zgjidhur çështjen e kontratës për shërbimet bazë dhe detyrimet financiare të papaguara, në mënyrë që qytetit t’i rikthehet normaliteti sa më parë.

“Qëndrojmë të hapur dhe të gatshëm për bashkëpunim, në çdo kohë” , përfundon reagimi. /Demokracia.com/