Reagimet ndaj planit të Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza

Autoriteti Palestinez ka mirëpritur përpjekjet e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Dhe një vlerësim pozitiv rreth planit të fundit të presidentit amerikan ka ardhur edhe nga Arabia Saudite, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezia, Pakistani, Turqia, Katari dhe Egjipti.


Ato kanë lëshuar të gjitha një deklaratë të përbashkët duke mirëpritur përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ministrat e jashtëm të vendeve thanë se ishin të gatshëm të “bashkëpunonin pozitivisht” me SHBA-në dhe vendet e tjera për të finalizuar marrëveshjen dhe për të siguruar zbatimin e saj.

“Ministrat mirëpresin njoftimin e Presidentit Trump në lidhje me propozimin e tij për t’i dhënë fund luftës, për të rindërtuar Gazën, për të parandaluar zhvendosjen e popullit palestinez dhe për të çuar përpara një paqe gjithëpërfshirëse, si dhe njoftimin e tij se ai nuk do të lejojë aneksimin e Bregut Perëndimor”.

Ndërkohë, sipas raportimeve, plani i paqes i Donald Trump për Gazën tani i është dorëzuar edhe Hamasit.

Agjencia e lajmeve AP raporton se zyrtarët e Hamasit po e shqyrtojnë planin me “besim të mirë”.

Në anën tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kishte thënë se “unë besoj se sot po bëjmë një hap kritik drejt përfundimit të luftës në Gaza dhe po përgatisim terrenin për avancimin dramatik të paqes në Lindjen e Mesme, dhe mendoj përtej Lindjes së Mesme”.

“Unë mbështes planin tuaj për t’i dhënë fund luftës në Gaza, i cili arrin qëllimet tona të luftës”, kishte thënë Netanyahu gjatë një konference për shtyp me Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Kjo do t’i kthejë Izraelit të gjithë pengjet tona, do të çmontojë aftësitë ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij politik, dhe do të sigurojë që Gaza të mos përbëjë kurrë më kërcënim për Izraelin”, ka thënë ndër tjerash ai.

Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zbuloi të hënën një plan të gjerë paqeje për Gazën.

Plani 20-pikësh, të cilin Trump thuhet se e ka shpërndarë edhe tek udhëheqësit arabë, bën thirrje për një armëpushim, lirimin e pengjeve nga Hamasi, çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të Izraelit nga Gaza.

Pika të tjera kyçe përfshijnë vendosjen e një “force të përkohshme ndërkombëtare stabilizimi” dhe krijimin e një autoriteti kalimtar të kryesuar nga vetë Trump dhe me pjesëmarrjen e udhëheqësve të tjerë të huaj.

Marrëveshja do të kërkonte që militantët e Hamasit të çarmatosen plotësisht dhe të përjashtohen nga rolet e ardhshme në qeveri.

Megjithatë, ata që bien dakord për “bashkëjetesë paqësore” do të amnistoheshin.

Pas tërheqjes së Izraelit, kufijtë do të hapeshin për ndihmë dhe investime.

Në një ndryshim thelbësor nga qëllimet e mëparshme të dukshme të Trump, palestinezët nuk do të detyrohen të largohen nga Gaza dhe në vend të kësaj, thuhet në dokument, “ne do t’i inkurajojmë njerëzit të qëndrojnë dhe do t’u ofrojmë atyre mundësinë për të ndërtuar një Gazë më të mirë”.