Reagime pas fotografisë së FSK-së: Hibrid thotë se fotoja ishte e vërtetë

Platforma Hibrid.info që merret me analiza të fotografive dhe fakteve, ka kundërshtuar deklarimet e disa mediave që pretendojnë se fotografia e pranisë së FSK-së në veri ishte e manipuluar.

Sipas tyre, fotografia e FSK-së e publikuar nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ishte e vërtetë.

Hibrid.info thotë se nuk ka gjetur se ka prova që dëshmojnë manipulime apo ndërhyrje në fotografinë, për të cilën kanë raportuar mediat.

“Fotografia nga operacioni në liqenin e Ujmanit, për të cilën pretendohet se është manipuluar nga LVV duke i hequr automjetet e KFOR-it për ta paraqitur aksionin si të kryer ekskluzivisht nga FSK-ja, nuk rezulton të jetë e manipuluar. Hibrid.info, pas analizave vizuale dhe digjitale (përmes Photo Forensics, analizës ELA, metadata-ve, Chat GPT dhe platformës HiveModeration), nuk ka gjetur prova që dëshmojnë ndonjë ndërhyrje apo manipulim në fotografi”, thuhet në qëndrimin e tyre.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Përmbajtje të paverifikuar”.

“Vlerësimi “i pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes”, shkruan në raportin e Hibrid.Info

Kjo fotografi ka ngjallur reagime nga portale të ndryshme dhe analistë në Kosovë që vlerësojnë se fotografia ishte manipuluar nga Vetëvendosja. E madje kishin reaguar edhe dy ambasadorë të akredituar në Kosovë, ai i Francës dhe i Gjermanisë të cilët kundërshtuan modifikimin e fotografive.

Ndërkaq, ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu i ka reaguar ambasadorit të Gjermanisë dhe atij të Francës në Kosovë, rreth dyshimeve se një fotografi e prezencës së FSK-së në veri ishte e manipuluar.

Kryeziu thotë se dy ambasadorët kanë rënë në provim sa i përket profesionalizmit të tyre, pasi fotografia e prezantuar në opinion nuk ishte e manipuluar.

“Nuk ka asnjë dëshmi që dikush nga institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës ka bërë ndërhyrje digjitale në fotografi, po ashtu në deklaratat zyrtare nuk ka asnjë mohim të rolit të KFOR-it. Fjalët e tyre kanë peshë prandaj akuza për dezinformim dhe manipulime të fotografive do të duhej të ishte verifikuar paraprakisht në hollësi”, shkruan Kryeziu.

The post Reagime pas fotografisë së FSK-së: Hibrid thotë se fotoja ishte e vërtetë appeared first on Kosovapost.net.