Rasti ‘Veteranët”, kundërshtohet dënimi i anëtarëve të komisionit

Aktgjykimi dënues për kryetarin dhe anëtarët e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së, ka shkaktuar reagime nga Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së. Vendimi i gjykatës është vlerësuar tërësisht politik nga këto organizata.

Mustaf Gashi, është njëri nga veteranët e UÇK-së, i cili kishte luftuar në Koshare. Lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për dënimin e anëtarëve të Komisionit për njohjen e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së, Gashi thotë për Radio Kosovën se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të disa individëve për këtë çështje, epilogu duhet të mbështetet në fakte.

“Kam respekt për komandantët dhe më vjen shumë keq që ata kanë rënë në këtë dilemë. Nëse ka fakte, le të veprohet në përputhje me to, nëse nuk ka, më vjen keq. Shikoni sa veteranë janë të listuar në fshatin tonë në Qyshk dhe në tërë Kosovën”, theksoi Gashi.

Edhe Hysni Neziri është njëri nga invalidët e luftës së UÇK-së, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në betejat e Koshares. Ai,  aktgjykimin e Gjykatës Themelore e sheh si një vendim tërësisht  politik.

“Është një gjykim politik, është një gjykim i padrejtë. Dënohet nga një gjykatë e krijuar pas luftës, nga Gjykata e Drejtësisë, dhe nuk ka asnjë fije drejtësie në këtë vendim. Kjo është turp, turp, turp”, u shpreh Neziri.

Ndërkohë, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Gazmend Syla, deklaroi se shoqatat e dala nga Lufta kanë qenë kategorikisht kundër përfshirjes së personave të pa merituar në listat e veteranëve të luftës.

“Kemi qenë shumë të zëshëm në tregimin e realitetit të asaj që ka ndodhur në luftën tonë për çlirim. Kemi qenë kundër çdo përpjekje për të diskredituar luftën e UÇK-së përmes personave që nuk e meritojnë statusin”, tha Syla.

Sa i përket aktgjykimit dënues, Syla theksoi se ende nuk e kanë të qartë vendimin, pasi askush që nuk e ka merituar statusin e veteranit, invalidit apo familjes së dëshmorit, nuk është larguar nga lista.

“Ndoshta do të ishte e nevojshme që fillimisht të përjashtohej nga lista ndonjë person që nuk e meriton, dhe më pas Komisioni të merrte përgjegjësinë”, shtoi ai.

Sipas Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, çdo rishikim eventual i listave të veteranëve duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshëm, mbi baza të qarta ligjore dhe me përgjegjësi të plotë institucionale. Ky proces nuk duhet të zhvillohet në mënyrë të njëanshme, të ndikuar politikisht apo me qëllime diskredituese ndaj luftës së drejtë të popullit tonë.

Në rigjykimin e rastit “Veteranët”, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë dhe dënoi me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 anëtarët e Komisonit: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashar. Ndërsa Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj janë liruar nga akuzat.

The post Rasti ‘Veteranët”, kundërshtohet dënimi i anëtarëve të komisionit appeared first on Kosovapost.net.