Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës ka thënë se ka ndërmarrë dy veprime urgjente pas njoftimit për rastin tronditës të keqtrajtimit në familje të një fëmije 5-vjeçar në fshatin Janjevë të Lipjanit.
Blerim Shabani, drejtor i Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, tha të mërkurën se Ministria ka ofruar pëlqim për vendosjen e fëmijës 5-vjeçar në strehim familjar dhe ka autorizuar inspektimin e rastit.
“Ministria, në momentin që është vënë në dijeni ka ndërmarër këto veprime siç ju informova: ka ofruar pëlqimin për vendosjen e fëmijëve dhe ka autorizuar inspektimin”, tha Shabani.
Ai tha se Ministria është në pritje të raportit kronologjik të mbikëqyrjes profesionale dhe raportit preliminar të inspektimit.
“Pastaj do të kemi mundësi që të informojmë opinionin lidhur me veprimet dhe mosveprimet për këtë rast nga Qendra për Punë Sociale”, tha Shabani, raporton Paparaci.
Ai njoftoi se “fëmijët janë vendosur në një vend të sigurt dhe janë duke ndërmarrë përkujdes institucional”.
“Ne kemi ofruar pëlqimin për vendosjen e fëmijës, gjegjësisht fëmijëve, në strehim familjar në familje që janë të vlerësuara dhe të aprovuara që ofrojnë shërbime për fëmijët pa kujdes prindëror”, tha ai.
Një fëmije 5-vjeçare iu prenë gishtërinjtë e këmbës nga nëna e vet, e dyshuar për probleme mendore, raportoi të martën televizioni Klan Kosova.
I mituri u dërgua të shtunën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan, disa ditë pasi atij i ishin prerë të gjithë gishtërinjtë. /Paparaci.com










