Rasti Panda, Musliu akuzon Serbinë se vazhdon të mbajë sekret autorët e vrasjes së të rinjve serbë

Kreu i Institutit Octopus Agim Musliu ka reaguar ashpër ndaj Beogradit zyrtar për manipulim dhe heshtje mbi vrasjen e kryer të të rinjve serbë nga vetë Serbia 27 vjet më parë, e për të cilat u tentua t’i lihet faji kryekëput shqiptarëve.

Ai ka theksuar për KP se për vite me radhë shqiptarët u akuzuan publikisht pa asnjë provë dhe ironia më e madhe është se vetë presidenti Aleksandar Vuçiq pranoi se Serbia posedon të dhëna për vrasësit dhe “e di saktë se çfarë ka ndodh atë ditë!”

Edhe 27 vjet pas krimit makabër në Panda të Pejës, asnjë emër nuk është bërë publik, asnjë procedurë penale nuk është hapur dhe asnjë e vërtetë nuk u është thënë familjeve të viktimave, rikujton Musliu.

“Ka shumë veprime të tilla dhe të ngjashme që shteti hegjemonist serb ka bërë në vazhdimësi, por kjo vepër në veçanti dëshmon se çka është në gjendje të bëjë Serbia, t’i vrasë të rinjtë serb për t’i akuzuar shqiptaret, këtë ka mundur vetëm një shtet që nuk njeh kurrfarë limite njerëzore. Bota duhet ta kuptojë realitetin dhe manipulimet e një shteti që sakrifikon edhe popullin e vet për një kauzë të rreme!! Heshtja e Vuçiqit ende e mbron këtë krim!”.