Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për plagosjen e ushtarit 22-vjeçar, të dielën në fshatin Sharban të Prishtinës, ku i dyshuar është një koleg i tij.
Sipas organeve të rendit, rasti kishte ndodhur në veturën e të dyshuarit, transmeton Klankosova.tv.
“Viktima m/k është duke u trajtuar në QKUK pasi që, i njëjti derisa ka qenë në një veturë me të dyshuarin m/k, dyshohet se aksidentalisht i ka shkrepur arma të dyshuarit dhe si pasoj, viktima ka pësuar lëndime trupore. Si provë materiale në vendin e ngjarjes është konfiskuar arma e zjarrit dhe 15 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Ushtari i Kosovës që u qëllua me armë zjarri është jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me incidentin, FSK është deklaruar për Klankosova.tv, ku tha se arma e përdorur në këtë rast nuk është zyrtare e këtij institucioni.
Në përgjigjen e tyre për redaksinë thuhet po ashtu se rasti është në procedurë të hetimit.
“Ju njoftojmë që rasti ka ndodhur aksidentalisht jashtë ambienteve të FSK-së, arma e përdorur nuk është zyrtare e FSK-së dhe momentalisht rasti është në procedurë të hetimit”.











