Rasti i madh i drogës në Pejë, dërgohen në paraburgim edhe tre të dyshuarit e fundit

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar një muaj paraburgim Istref Bajramit, Liridon Hajrizajt dhe Enver Hasanit.

Të njëjtit ndodhen në ndalim që nga 30 tetori i këtij viti, pasi ndaj tyre ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer disa vepra penale që lidhen me narkotikë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas dosjes të siguruara nga Insajderi, të pandehurit dyshohen për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” si dhe për “Blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërsa, i pandehuri Istref Bajrami ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Çka tjetër thuhet në dosje?

Dosja e siguruar nga Insajderi zbulon detaje të reja për mënyrën se si të pandehurit Istref Bajrami, Liridon Hajrizaj dhe Enver Hasani kanë vepruar dhe si kanë tentuar t’i shmangen ndjekjes së organeve të rendit.

Prokuroria deklaron se të tre personat kanë lëvizur vazhdimisht jashtë Kosovës, përmes kufijve me Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Shqipërinë.

Në dosje përmendet se Istref Bajrami ka kaluar kufirin drejt Maqedonisë dhe më pas në Greqi, ndërsa Liridon Hajrizaj në mënyrë të përsëritur ka hyrë në Serbi përmes pikës kufitare të Bërnjakut.

Nga ana tjetër, Enver Hasani është përshkruar si person që ka kaluar kufirin drejt Shqipërisë, ku dyshohet se ka kontakte bashkëpunimi me persona të përfshirë në trafikim droge.

Në një pjesë tjetër të dokumentit, përmendet se më 18 tetor 2024, Enver Hasani ka marrë një telefonatë nga një numër që e ka paralajmëruar se tre persona janë në kërkim nga policia. Pas kësaj, ai ka filluar të shmanget, duke thënë herë se ndodhet në Kroaci e herë në Tiranë, për të mos rënë në gjurmë të autoriteteve kosovare.

Ndërkohë, Liridon Hajrizaj rezulton të ketë dalë nga Kosova më 22 nëntor 2024 përmes aeroportit të Brukselit, ndërsa Istref Bajrami ka kaluar kufirin me Bosnjë më 18 tetor 2024, me automjetin me targa E32/…

Në dosje përfshihet edhe një pjesë e transkriptuar e një bisede telefonike, ku Hasani dhe një i pandehur tjetër flasin për shmangien e arrestimit.

Në këtë bisedë, njëri prej tyre dëgjohet duke thënë: “Aty më arrestuan mu… nuk i dihet ashtu na kanë bërë mu… hajt bre qysh nonën e budalles, ta qifshin nonën e lopës,” duke shfaqur frikë se po përgjohej apo se ishte zbuluar nga policia.

Dokumenti përfshin edhe faktin që Enver Hasani ka qenë më herët i dënuar për vepra të ngjashme, dhe se ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti nga Policia e Kosovës që nga 1 gushti 2022.

Pos tjerash, Prokuroria argumenton se lirimi i të pandehurve do të rrezikonte hetimet, pasi ekziston mundësia që ata të ndikojnë në dëshmitarët apo të asgjësojnë prova.

Prokuroria shton se në komunikimet e përgjuara përmenden edhe emra të tjerë si “Ledio”, “Gadurova”, “Daku”, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes.

Në dosje thuhet se lirimi i të pandehurve nga paraburgimi do të ndikonte negativisht në proces, pasi ata “kanë lidhje familjare e miqësore me dëshmitarët dhe rrezikojnë t’i ndikojnë ata drejtpërdrejt”.

Si rrjedhojë, Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj të tre të dyshuarve, pasi sipas tyre janë përmbushur kushtet ligjore të parashikuara në nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Operacioni i arrestimit dhe hetimit të të dyshuarve është udhëhequr nga Prokurori i Krimeve të Rënda në Pejë, Ersan Qavolli.