Rasti i Kuvendit, Kurti: Sulmi dëshmon luftën aktive hibride të Serbisë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka përgëzuar institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional në rastin e Kuvendit të Kosovës, ku përmes telefonit u kërcënua për bombë.

“Konfirmimi se ky sulm e ka origjinën në Serbi dëshmon edhe një herë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj vendit tonë”, ka thënë Kruti, duke shpërndar stausin e Facebookut të ministrit në detyrë Xhelal Sveçla.

Policia e Kosovës ka thënë se alarmi i rremë për bombë në Kuvendin e Kosovës të shtunën dyshohet se ka ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia.

E pas hetimeve fillestare, Policia ka thënë se dyshimet janë që alarmi erdhi nga një numër prej Serbisë.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të ndriçimit dhe zbulimit të kërcënimit. Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se do t’i vazhdojë hetimet e do të marrë masa, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtarë të sigurisë, për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, shpalosi hollësi për operacionin. Bëri të ditur se kërcënimi me bombë u bë nëpërmjet një thirrjeje telefonike nga një person me zë mashkulli, që, siç tha, theksin e gjuhës angleze e pati si të personave nga vendet jomike të Kosovës.

Për këtë telefonatë, Gashi tha se janë angazhuar edhe ekipet e krimit kibernetik dhe se hetimet do të vazhdojnë.

The post Rasti i Kuvendit, Kurti: Sulmi dëshmon luftën aktive hibride të Serbisë appeared first on Kosovapost.net.