Rasti i Kurtit në gjykatë/ Avokati Musa: Standard i dyfishtë nga kryeministri – s’ka elemente të veprës penale të kanosjes

Avokati Skender Musa, ka folur lidhur me paraqitjen e sotme në gjykatë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në palën e të dëmtuarit.

Ai për Gazeta Blic tha se është standard nga Kurti, pasi vendimet e gjykatave i pranojnë ashtu siç iu konvenojnë, ndërsa nuk shkon në prokurori ku është i ftuar si dëshmitar për afera korruptive.

Musa theksoi se nuk ka elemente të veprës penale të kanosjes, pasi Kurti ka deklaruar se s’ka pasur frikë apo ankth.

“Standard i dyfishtë, pasi Kurti dhe VV, këta që janë deputetë dhe që kanë qenë ministra, sa herë ju ka rënë mirë ndonjë vendim nga gjykata, e kanë përkrahur, ndërsa ndonjë vendim që nuk iu konvenon, nuk i pranojnë. Është standard i dyfishtë. Si palë e dëmtuar ndaj një deklarate të një veterani të luftës që nuk përmban asnjë element të kanosjes, sepse për t’u konsideruar kanosje, bëhet kanosje, i dëmtuari duhet të ketë frikë dhe ankth, ndërkaq sa e kam parë, kryeministri ka deklaruar se nuk ka frikë dhe këtu nuk ka vepër penale fare, nëse ai ka deklaruar se s’ka frikë dhe ankth sot ose në procedurat e hetimit, atëherë nuk përmbushen elementet e veprës penale. Është standard i dyfishtë sepse ka shkuar ku është palë e dëmtuar në gjykatë, ndërkaq nuk shkon të dëshmojë ku është dëshmitar për një aferë korruptive që dyshohet se është kryer nga vartësit e tij”, është shprehur ai.

Sipas avokatit, të dyshuarit duhet të shpallen të pafajshëm, teksa ai e sheh të befasishme që në këtë rast është ngritur aktakuzë ndaj tyre, pasi për një qytetar të rëndomtë, sipas tij, gjykata s’do të vepronte njësoj.

“Nuk ka vepër penale të kanosjes pa këto elemente të frikës dhe ankthit, andaj ata duhet të shpallen të pafajshëm. Sa i përket veteranit të UÇK-së, e kam lexuar postimin, nuk ka qenë i drejtuar specifikisht në adresë të kryeministrit se do të marrë ndonjë hap, e di fjalën që e ka thënë dhe ajo nuk e përmbush veprën penale të kanosjes dhe në këtë drejtim mendoj dhe policia dhe prokuroria nuk e kanë trajtuar rastin specifik njëjtë me qytetarët tjerë të rëndomtë, sepse po të shkonte një qytetar i rëndomtë për një rast të tillë, nuk do t’i hapnin as rast, ndërkaq për kryeministrin kanë hapur rast e kanë ngritur aktakuzë, është e befasueshme”, ka deklaruar avokati Skender Musa.