Rasti i foshnjës që u fut në rrobalarëse në Spitalin e Pejës, mbahet seanca e parë gjyqësore

Gati tri vite pas ngjarjes së rëndë, dy të akuzuarit, S.I. dhe E.A., punonjës shëndetësorë në Spitalin e Pejës, janë deklaruar të pafajshëm në Gjykatën Themelore në Pejë gjatë seancës fillestare lidhur me akuzën për futjen e një foshnje të pajetë në lavatriçen e spitalit rajonal më 13 dhjetor të vitit 2022.

Sipas aktakuzës, S.I. si punonjës shëndetësor nuk ishte kujdesur që fryti i lindur i vdekur me operacion nga pacientja me inicialet M.Z. të vendosej në dhomë me frigoriferët që përdoren për vendosjen e placentave. Ai akuzohet se s’ka mbikëqyrur stafin dhe fryti i vdekur ishte vendosur në një çarçaf të bardhë e që më pas pa dijeni ishte marrë nga punëtorët teknikë dhe ishte hedhur në shportën që bartte çarçafët e papastër për t’i dërguar në lavanderi për pastrim. Fryti ka mbetur aty deri kur prindërit e kanë tërhequr, raporton televizioni publik.

E akuzuara E.A. sipas aktakuzës, si mami infermiere kujdestare, nuk kishte kryer punën e saj duke iu përmbajtur parimeve etike dhe profesionale.

Avokatja e palës së dëmtuar, Saranda Keqekolla Sadiku, ka thënë se për fat të keq veprimet e Prokurorisë kanë qenë shumë të ngadalësuara.

“Veprimet e prokurorisë së shtetit kanë qenë shumë të ngadalësuara deri te vendimi për ngritjen e akuzës. Për mendimin tim, prokuroria ka pasur elemente të mjaftueshme që të ngritë akuzën dhe të zhvilloj çështjen penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’”.

“Po presim një epilog të drejtë, tash do të shohim në gjykatë. Sot të pandehurit nuk u deklaruan për fajësinë e tyre, nuk e pranuan fajësinë, i kanë të drejtat ligjore që ua garanton ligji, prandaj në vijim besoj se edhe ju do të jeni të njoftuar”, shtoi ajo.

Edhe familjarët e foshnjës janë shprehur të shqetësuar për stërzgjatjen e këtij procesi nga organet e drejtësisë.

“Po më vjen çudi e madhe prej këtyre gjykatave dhe prokurorëve, e kanë bërë atë punë thuajse nuk ka ndodhur gjë. Përndryshe kam shpresë të madhe në drejtësi, edhe pse shumë me vonesë. Dy vjet e diçka për një rast, kjo është tmerr”, tha një familjar.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Dëmtimi i varrezave apo kufomave”. Seanca e radhës do të mbahet pas 30 ditëve. /rtk