Kombëtarja e Kosovës ka arritur fitore të madhe kundër Sllovenisë me rezultat 0:2. duke prekur kështu playoff-in për kualifikim në Kampionatin Botëror, që vitin e ardhshëm mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.
Por, pas përfundimit të ndeshjes, mungonin disa targa të veturave që u takonin tifozëve kosovarë që kishin shkuar për ta parë ndeshjen.
Lidhur me këtë, më herët ka reaguar Ambasada e Kosovës në Slloveni, e më pas edhe Ministria e Jashtme dhe e Diasporës.
Përmes njoftimit në Facebook, kjo Ministri thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me policinë e Sllovenisë.
“Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar.Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, thuhet në reagimin e MPJD-së, transmeton Klankosova.tv.











