Rashiqi akuzon Listën Serbe se po tenton të manipulojë votat e partisë së tij

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se Lista Serbe po tenton të manipulojë procesin zgjedhor duke ofruar shuma të mëdha parash për të anuluar votat e partisë së tij.

Për herë të parë, Lista Serbe është rrugës për të humbur një ulëse nga 10 të garantuara për serbët në Kuvendin e Kosovës. Kjo pasi një ulëse pritet ta marrë partia e Rashiqit.

Por ministri në detyrë u shpreh se Lista Serbe po përpiqet të manipulojë votat për të siguruar pushtet absolut.

“Sot pasdite mora informacione nga bashkëpunëtorët e mi që janë vëzhgues, të cilët janë kontaktuar nga numra të panjohur duke iu ofruar para në këmbim të anulimit të votave tona. Kjo nuk po ndodh vetëm në një komunë, por në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar Rashiq në “Interaktiv” të KTV-së të martën.

Ai ka bërë të ditur se nesër do të shkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta informuar zyrtarisht mbi këto pretendime dhe për të kërkuar më shumë vëmendje mbi manipulimet e mundshme.

Rashiq ka kritikuar gjithashtu vendimin e KQZ-së për lejimin e votimit me dokumente të skaduara një ditë para zgjedhjeve, duke thënë se kjo ka mundësuar që serbët që nuk kanë jetuar në Kosovë për 20-30 vjet të kthehen dhe të votojnë në mënyrë të organizuar me dokumente të skaduara.

“Serbia ka pasur një organizim të madh. Në komunat veriore, dalja në zgjedhje ka qenë 98% në vitin 2021. Sivjet kontrolli ka qenë më i rreptë, jo se ka rënë numri i votuesve, por sepse në të kaluarën komisionarët vetë i kanë plotësuar formularët, si në odë”, ka shtuar ai.

Pjesëmarrja në qeverinë e ardhshme, sipas Rashiqit, mbetet e hapur. Por ai ka theksuar se fillimisht do të flasë me kryeministrin në detyrë Albin Kurti e më pas edhe me partitë të tjera, në rast se i zyrtarizohet mandati i deputetit partisë së tij.