Rashiq: S’e kam shkel Kushtetutën, nesër do të kandidoj përsëri për nënkryetar

Pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku opozita nuk e ka mbështetur kandidaturën e tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit, ministri dhe deputeti Nenad Rashiq në një intervistë për Tëvë1, ka komentuar situatën, mungesën e përkrahjes dhe qëndrimin e tij politik jashtë Listës Serbe.

Rashiq u shpreh se është i kënaqur që Kuvendi ka arritur ta zgjedhë kryetarin dhe se procesi po ecën përpara pas një bllokade të gjatë institucionale.

“Dje, pas shumë seancave, të them të drejtën, jam i gëzuar që kemi shkuar një hap përpara dhe kemi bërë kryetarin e parlamentit. Besoj që kemi dalë prej ngërçit që e kemi pasur,” u shpreh ai.

Ai theksoi se ishte i vetmi kandidat jashtë Listës Serbe dhe se propozimi për nënkryetar e kishte bërë vetë, për shkak të mungesës së mbështetjes nga të tjerët.

“Unë isha i vetmi jashtë Listës Serbe dhe vetpropozimi ka ndodhur sepse s’kishte kush tjetër të më propozonte. Nga një konceptim politik dhe gjithë mundi që e kam dhënë këto 20 vite, mendova se është momenti të fillojmë për një shoqëri demokratike,” tha Rashiq.

Ai kritikoi përfaqësuesit aktualë të komunitetit serb në Kuvend, duke thënë se nuk përfaqësojnë në mënyrë adekuate popullin që i kanë dërguar aty.

“Përfaqësimi që kemi pasur nuk ka qenë adekuat, dhe as ata përfaqësues që janë aty nuk janë adekuat për ta përfaqësuar mendimin e popullit serb,” shtoi ai.

Lidhur me pretendimet e disa deputetëve të opozitës se votimi i tij është në kundërshtim me Kushtetutën, Rashiq tha se ka kërkuar konfirmim nga ekspertë kushtetues, të cilët i kanë thënë se nuk ka asnjë shkelje ligjore.

“Disa nga deputetët më thanë që votimi i tillë është kundërkushtetues. Unë thashë se kjo nuk është kundërkushtetuese. Dje pasdite shkova të takoj disa njerëz që merren me çështje kushtetuese dhe më thanë që nuk ka asnjë shkelje nëse votohet një përfaqësues si unë për nënkryetar të Kuvendit,” deklaroi ai.

Rashiq paralajmëroi se do të kandidojë përsëri për postin e nënkryetarit, në përputhje me rregullat parlamentare.

“Po, sipas rregullave, unë edhe nesër do ta kandidoj veten. Nëse nuk votohet kandidati i Listës Serbe, siç e dini, shortin e ka bërë z. Basha. Kemi të drejtë të kandidohemi deri në tre herë dhe nëse nuk kalojmë për tre herë, atëherë nuk kemi më të drejtë kandidimi,” shpjegoi Rashiq.

Ai u shpreh gjithashtu i habitur nga mosvotimi i opozitës, duke kujtuar bashkëpunimet e mëhershme me partitë opozitare.

“Unë me të vërtetë po besoj në gatishmërinë e opozitës dhe të partive politike. Por ju kujtoj që për një kohë të gjatë jam në politikë dhe kam punuar me PDK-në, por edhe me AAK-në, LDK-në e Nismën. E konsideroj që ndoshta ka qenë një befasi,” tha ai në fund.

The post Rashiq: S’e kam shkel Kushtetutën, nesër do të kandidoj përsëri për nënkryetar appeared first on Kosovapost.net.