Rashford: Nuk i trembem konkurrencës së lartë te Barcelona, duam të fitojmë Champions-in

Asgjë nuk e zbeh lumturinë që ndjen Marcus Rashford për faktin që ka firmosur me Barcelonën. Madje as fakti që ende nuk është regjistruar në La Liga. Sulmuesi ndërkombëtar anglez, i cili këtë sezon do të luajë për Barçën në formë huazimi nga Manchester United, nuk është i shqetësuar për këtë situatë. Ai ka besim të plotë te klubi.

Joan Laporta u shfaq të shtunën para mediave i sigurt se do të realizohen së shpejti regjistrimet e lojtarëve të rinj. Edhe futbollistët, të cilëve presidenti iu ka dhënë personalisht garanci, e besojnë këtë. Prandaj Marcus Rashford, i cili foli për mediat nga Azia, është i qetë: “Nuk jam i shqetësuar për regjistrimin tim. Mendoj se kjo është diçka që klubi duhet ta zgjidhë, kam besim se do të ndodhë. Unë jam i fokusuar te stërvitjet dhe përgatitja për fillimin e sezonit të ri”.

Përveç ish-lojtarit të Manchester United, në pritje të regjistrimit në La Liga janë edhe Joan García, Szczesny e Gerard Martín. Sulmuesi anësor anglez, në fakt, po përshtatet me ritëm të lartë me ekipin dhe dhomën e zhveshjes blaugrana. Jo vetëm është integruar në mënyrë të përkryer me skuadrën e re, por edhe paraqitjet e tij në dy ndeshjet miqësore të zhvilluara deri tani kanë qenë të spikatura, megjithëse u bashkua me kampionët e Spanjës vetëm pak para fillimit të turneut në Azi. “Ka qenë një parasezon i mirë, jemi gati për fillimin e kampionatit. Jam integruar mjaft mirë, po përshtatem me ekipin dhe me trajnerin”, – pranoi futbollisti anglez.

Rashford ka realizuar ëndrrën e tij për të firmosur me Barcelonën, ndaj ambicia personale dhe kolektive është maksimale: “Të gjithë duan ta fitojnë Champions League. Sezoni i kaluar ishte fantastik, tani duhet të përpiqemi ta përsërisim ecurinë dhe ta përmirësojmë, duke e fituar Champions-in. Mund të luaj në pozicione të ndryshme, të shënoj gola nga të gjitha zonat e fushës. Një sulmues duhet të jetë i aftë të shënojë nga pozicione të ndryshme, shpresoj të bëjmë një hap më shumë krahasuar me sezonin e kaluar dhe ta fitojmë Champions League”.

Anglezi shtoi se nuk frikësohet nga konkurrenca: “Ka shumë lojtarë të mëdhenj këtu, por e dija këtë para se të vija. Cilësia është shumë e lartë dhe intensiteti gjithashtu. Kjo është ajo që duhet ta mbajmë gjatë gjithë sezonit”.

Futbollisti anglez, i cili mund të luajë si anësor apo sulmues qendre, madje bëri edhe shaka për numrin e golave që synon të shënojë këtë sezon me fanellën e Barçës. Pasi tha duke qeshur se do të shënojë 100 gola, shtoi: “Sa më shumë të mundem. E di që do të jetë ndryshe për mua të luaj në një vend tjetër dhe në një stil tjetër futbolli, por e pranoj sfidën dhe do të përpiqem të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur”.

The post Rashford: Nuk i trembem konkurrencës së lartë te Barcelona, duam të fitojmë Champions-in appeared first on Telesport.