Rivaldo, fitues i “Topit të Artë” dhe legjendë e Barcelonës mes viteve 1998-2003, ka përgëzuar transferimin e Marcus Rashford te katalanasit, i huazuar nga Manchester United për këtë sezon.
“Rashford është një blerje e shkëlqyer, – tha braziliani, sot ambasador i “Betfair”. Ish-kampioni i botës me Brazilin më 2002 dhe dikur vetë një nga protagonistët në rolin ku po luan Rashford, vlerësoi potencialin e sulmuesit anglez: – Ka gjithçka për të spikatur, me një trajner të madh pranë vetes do të përparojë shumë”.
Rivaldo theksoi se ndryshimi i ambientit mund t’i bëjë mirë Rashford-it: “Duke qenë një ligë ndryshe nga ajo angleze, besoj se do të ketë më shumë hapësira për të shprehur futbollin e tij dhe për të bërë diçka të madhe në Spanjë. Ai është një lojtar i shkëlqyer, pa asnjë dyshim”.
Sidoqoftë, nuk do të jetë e lehtë: “Barcelona pati një sezon të madh, të kaluarin, kështu që është normale që Rashford ta nisë nga stoli. Me kalimin e kohës do ta fitojë ritmin, do të kuptojë si do trajneri që të luajë, do të përshtatet. Më pas do ta fitojë vendin e tij në formacionin startues”.
Konkurrenti më i madh për Rashford? Raphinha, bashkëkombasi i Rivaldos: “Për mua, Raphinha është sot mes pesë lojtarëve më të mirë në botë. Për këtë arsye e shoh shumë, shumë të vështirë që Rashford të jetë titullar për momentin. Sipas meje, Raphinha është i pazëvendësueshëm dhe nuk shoh asnjë mundësi që të largohet nga formacioni”.
The post “Rashford është përforcim i shkëlqyer për Barcelonën, por nuk ia zë dot vendin Raphinha-s” appeared first on Telesport.