Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick zhvilloi miqësoren e saj të parë verore, duke u paraqitur me ambicie të mëdha për sezonin e ri. Kundërshtari ishte Vissel Kobe, i mposhtur me rezultatin 3-1.
Kjo sfidë shërbeu si rast për të parë për herë të parë në fushë me fanellën blaugrana sulmuesin Marcus Rashford, i transferuar nga Manchester United, pas një periudhe huazimi tek Aston Villa.
Sulmuesi anglez e ndau emocionin e tij pas debutimit me Barcelonën përmes një postimi në rrjetet sociale: “Minutat e para me fanellën e Barcelonës! Forca!” Përveç këtyre fjalëve, anglezi shtoi edhe dy zemra (emoji), një të kuqe dhe një blu.
Edhe pse nuk arriti të shënojë, pritet që stërvitjet në vijim ta ndihmojnë të përshtatet më mirë me skemat dhe të ngjitet në hierarkinë e teknikut Flick. Rasti i radhës për të shkëlqyer do të jetë në miqësoren ndaj Seoul FC, e cila do të zhvillohet të enjten e ardhshme (ora 13:00, sipas orës spanjolle).
Ndryshe nga anglezi, Roony Bardghji arriti të shënojë dhe të lërë gjurmë. Sulmuesi 19-vjeçar, i ardhur këtë verë nga Kopenhaga, tregoi qetësi dhe përshtatje të shpejtë, pavarësisht kalimit në një ambient shumë më sfidues se ai danez.
Për të foli trajneri Flick në konferencën për shtyp: “Varet nga ai. Nëse luan mirë…” Pra, trajneri gjerman la të kuptohet se gjithçka do të varet nga paraqitjet e tij. Në çdo rast, ekziston vullneti për ta integruar me kujdes në ambientin e Barcelonës.
The post Rashford debuton me fanellën blaugrana: Minutat e para me Barcelonën. Forca! appeared first on Telesport.