Raportohet se punëtorët e RTK’së janë njoftuar se s’kanë paga këtë muaj

Në media raportohet se punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nuk i kanë marrë ende pagat këtë muaj.

Mungesa e pagave ndërlidhet me shpërndarjen e buxhetit për gjashëmujorin e dytë për Transmetuesin Publik, ka mësuar Paparaci nga burime të informuara për ngjarjen.

Punëtorët janë informuar të premten se “nuk do të ketë paga për këtë muaj”, ka mësuar Paparaci.

Sipas një njoftimi që është shpërndarë në një komunikim mes punëtorëve, të cilin e ka parë Paparaci, paga nuk do të ketë për shkak se nuk është bërë ende shpërndarja e buxhetit si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Shpërndarjen e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës e realizon Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, bazuar në Ligjin Vjetor për Buxhetin.

Ende nuk dihet arsyeja e mungesës shpërndarjes së buxhetit për RTK-në, për gjashtëmujorin e dytë.

Si pasojë e mungesës së një kuvendi funskional, për shkak të dështimeve të deputetëve të zgjedhur për konstituimin e tij, në këtë periudhë kur zakonisht bëhet rishikimi i buxhetit në Kuvend, këtë kohë Ligji për Ndarjet Buxhetore nuk do të mund të rishikohet.

Pagat e punëtorëve të institucioneve publike konsiderohen si pagesa esenciale edhe në rastet kur të hyrat buxhetore mund të jenë më të ulëta sesa parashikimet.