Një ditë pasi Albin Kurti shpalli dështimin për krijimin e qeverisë së re dhe tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, raportohet se deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur sot mbledhjen e nënshkrimeve për një tjetër seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
RTV21 dhe Indeksonline raportuan se po përgatitet thirrja e një seance të re për votimin e qeverisë këtë javë, ndërkohë që presidentja Vjosa Osmani nuk i ka ftuar ende partitë politike për konsultime.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes i tha Gazetës Express të dielën se ajo do ta bëjë këtë “gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”.
Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka nuk ka qenë i qasshëm për t’iu përgjigjur interesimit të Gazetës Express për këtë çështje. Nga kjo parti nuk i kanë mohuar raportimet.
Për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme nevojiten 40 nënshkrime, të cilat LVV-ja mund t’i mbledhë.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, me të cilin Albin Kurti është takuar e ka biseduar më së shumti – por pa sukses – për krijimin e një shumice të re, e ka parë dhe nuk i është përgjigjur një pyetjeje të Gazetës Express nëse është kontaktuar së fundmi për qeverinë dhe nëse ka ndryshuar diçka. Ai ka thënë së fundmi se s’bën marrëveshje me LVV-në me Dimal Bashën kryetar të Kuvendit.
Deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi iu përgjigj me një mohim të shkurtër pyetjes së Gazetës Express nëse kanë pasur diskutime me LVV-në pas dështimit të zgjedhjes së qeverisë të dielën: “Jo. Jo”.
Kurti tha dje në një konferencë për media se tani është në diskrecionin e Osmanit nëse ajo do ta mandatojë dikë për formimin e qeverisë, me PDK-në dhe LDK-në që kanë thënë se nuk do ta marrin këtë detyrë, pasi nuk mund t’i bëjnë numrat.
“Ne nuk kemi marrë ende ftesë nga zonja Presidente. E dimë që për herën e dytë, eventualisht, është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e qeverisë. Nga ajo çfarë dëgjuam dje dhe në bazë të rrethanave që ekzistojnë, duket që që të gjithë tash po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhjet e reja parlamentare”, tha Kurti.
Përveç balotazhit, ai tha se do të ketë dy herë zgjedhje: në dimër dhe në pranverë. “Sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është vështirë e imagjinueshme që do të mund t’i bëjmë kollaj 81 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm”, tha ai.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar që “të shkohet në zgjedhje të parakohshme sa më parë”. Zgjedhjet i sheh si opsionin e vetëm të mbetur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha të dielën se nëse partitë refuzojnë marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së re, Presidentja “ka të drejtën dhe detyrimin kushtetues për të shpërndarë Kuvendin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpërndarja”.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës përmendi 14 dhjetorin dhe 21 dhjetorin si datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ndërsa Cakolli ka përmendur edhe 30 nëntorin dhe 7 dhjetorin.










