Raporti i zjarreve në Evropë, Lindje e Mesme dhe Afrika Veriore, për 2024, tregon se sezoni i zjarreve i vitit të kaluar përfundoi me një total prej 383 mijë e 317 hektarë sipërfaqe e djegur.
Të dhënat e vitit 2024 tregojnë se sezoni tradicional i zjarreve, pra nga fillimi i qershorit deri në mesin e shtatorit, vazhdon të zgjerohet me flakë masive e të rrezikshme. Në total, 8 mijë e 343 zjarre janë raportuar nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile së Bashkimit Evropian (UCPM).
Bullgaria, Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja, ishin ndër vendet e Bashkimit Evropian që ishin më të prekura, me një sipërfaqe të djegur në total prej 334 mijë e 940 hektarë.
Nga vendet jo anëtare të unionit, por që janë pjesë e UCPM-së, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Turqia, si dhe Ukraina, ishin ato që pësuar humbjet më të rënda.
Sa i përket Shqipërisë, sipas raportit evropian, sezoni i zjarrëve për 2024-ën, ishte më ekstremi për 6 vitet e fundit.
U regjistruan 49 mijë e 189 hektarë të djegura nga 453 zjarre, kryesisht në korrik dhe gusht.

Viti 2024 gjithashtu pa zjarret që sollën dëme të mëdha në Ballkan, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të BE-së.
Shërbimi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) bën me dije se sezonet e zjarrëve në kontinent po zgjasin më tepër se zakonisht, ashtu sikurse valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta. Këto, krijojnë kushte ideale për shpërthimin e flakëve të mëdha e të pakontrollueshme.
Si duket trendi për vitin 2025 deri më tani?
Nga të dhënat e mbledhura deri më tani për sezonin e zjarrëve 2025, duket se trendi është në rritje.
Që nga janari i këtij viti, EFFIS ka regjistruar 7 mijë e 200 zjarre në 37 vende të cilat janë pjesë e Mekanizmit Mbrojtës Civil të BE-së.
Aktualisht, të dhënat deri më datë 25 nëntor 2025, paraqesin se mbi 1 milion hektarë janë djegur në BE, duke sjellë nevojën e përforcimit të forcave zjarrfikëse. Kështu, është dyfishuar numri i avionëve dhe helikopterëve të zjarrfikësve në flotën ajrore të unionit evropian, rescEU.












