Raporti i Progresit: Kosova me përparim të kufizuar në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit – shkak mungesa e stabilitetit institucional dhe ndikimet politike

Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025 vlerëson se vendi mbetet ndërmjet fazës së hershme të përgatitjes dhe një niveli të caktuar përgatitjeje për zbatimin e Kosova ndodhet ndërmjet fazës së hershme të përgatitjes dhe një niveli të caktuar përgatitjeje për zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian (acquis të BE-së) dhe standardeve evropiane në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, duke shënuar vetëm përparim të kufizuar.

Raporti konstaton se është bërë vetëm përparim i kufizuar gjatë vitit të kaluar, transmeton lajmi.net.

Funksionimi i gjyqësorit

Sipas raportit, Kosova ka ndërmarrë disa hapa për reduktimin e lëndëve të prapambetura dhe digjitalizimin e sistemit gjyqësor, por procesi i reformave është ngadalësuar për shkak të bllokadës politike dhe mungesës së anëtarëve të plotë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Komisioni vlerëson se ndikimet e papërshtatshme të brendshme dhe të jashtme në sistemin e drejtësisë mbeten problem serioz. Edhe pse ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial hynë në fuqi në qershor 2025, ato nuk i reflektojnë ende plotësisht rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Kosova ka bërë disa përmirësime ligjore, por reforma në drejtësi vazhdon të jetë e ngadalshme dhe e brishtë për shkak të mungesës së stabilitetit institucional dhe ndikimeve politike,” theksohet në raport.

Komisioni Evropian rekomandon që Kosova të:

  • Miratojë shpejt legjislacionin që buron nga Deklarata e Përbashkët e Angazhimit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias;

  • Fuqizojë mekanizmat ekzistues të integritetit, llogaridhënies dhe efikasitetit në sistemin gjyqësor e prokurorial;

  • Vendosë një kuadër të qartë përgjegjësish për menaxhimin në këshilla, gjykata dhe prokurori;

  • Rrisë efikasitetin dhe llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe dhunës me bazë gjinore.

Lufta kundër korrupsionit

Në pjesën e raportit për luftën kundër korrupsionit, Komisioni konstaton se Kosova është ende në një fazë të hershme të përgatitjes, me përparim të kufizuar, edhe pse janë arritur disa rezultate në gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, me një numër më të madh të aktgjykimeve përfundimtare dhe dënimeve.

Megjithatë, numri i hetimeve dhe dënimeve në rastet e tjera të korrupsionit ka rënë, ndërsa Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike kombëtare për luftën kundër korrupsionit.

Raporti kritikon mungesën e një qasjeje të koordinuar institucionale, duke theksuar se, pavarësisht zotimeve politike, masat anti-korrupsion mbeten të fragmentuara. Komisioni kërkon nga Kosova që të:

  • Fuqizojë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) me më shumë staf dhe ekspertizë;

  • Zbatojë ligjet ekzistuese anti-korrupsion dhe të miratojë një strategji kombëtare 2025–2028 në përputhje me praktikat evropiane;

  • Fuqizojë hetimet në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke rritur kapacitetin e Njësisë Speciale Hetimore të Policisë dhe duke përmirësuar bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale.

Po ashtu, raporti thekson nevojën për përdorim më të madh të instrumenteve parandaluese, si deklarimet e pasurisë dhe planet e integritetit të institucioneve publike, për të luftuar korrupsionin në mënyrë proaktive.

Në përgjithësi, Komisioni Evropian thekson se reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit në Kosovë mbeten të ngadalta dhe të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Për të avancuar në rrugën drejt BE-së, Kosova duhet të tregojë vullnet të qartë politik, të forcojë institucionet e pavarura dhe të sigurojë zbatim të plotë të ligjeve ekzistuese.