Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi sot gjatë prezantimit të raportit për Serbinë se reformat në vend janë ndjeshëm të ngadalësuara, se situata mediatike është frikësuese, dhe se pa zbatimin e rekomandimeve për përmirësimin e zgjedhjeve, zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë të lira dhe të ndershme. Ai gjithashtu vuri në dukje presionet mbi komunitetin akademik dhe sistemin e drejtësisë.
“Politika e “shikimit nëpër gishta” dhe imponimi i stabilitetit si alibi nga disa aktorë evropianë nuk kanë dhënë rezultate në transformimin e vendit, por vetëm e kanë larguar atë nga anëtarësimi”, ka deklaruar Picula në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, transmeton Paparaci.
Ai ka theksuar se reformat në Serbi kryesisht janë ndjeshëm të ngadalësuara, ndërsa në disa segmente madje kanë bërë hapa pas. Sipas tij, nga miratimi i raportit të vitit të kaluar deri sot situata edhe më shumë është përkeqësuar.
Picula tha se tempo i afrimit ndaj BE-së ka ngecur për vite – mungesa e përputhshmërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, mungesa e dialogut me Kosovën, mungesa e vullnetit të sinqertë për përparim në rrugën evropiane, përkeqësimi i kushteve për punën e lirë të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, dhe injorimi i rekomandimeve për përmirësimin e procesit zgjedhor.
Ai ka thënë se Serbia duhet të marrë një qëndrim të qartë lidhur me anëtarësimin e shpallur në BE.
Picula vuri në dukje se legjislacioni zgjedhor në Serbi ka mangësi serioze dhe se pa ndryshime strukturore dhe zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it, zgjedhjet e ardhshme nuk mund të jenë të ndershme.
Zgjedhjet lokale në 10 qytete janë edhe një shembull tjetër i shumë mangësive demokratike, ka thënë Picula, duke përmendur listat fantazmë dhe faktin që presidenti i Serbisë po zhvillon fushatë në zgjedhjet lokale me emrin e tij.
Ai shtoi se ndryshimet në ligjet e drejtësisë përbëjnë një hap prapa të papranueshëm në procesin e anëtarësimit dhe një goditje të rëndë për pavarësinë e gjyqësorit.
Duke folur për protestat, Picula dënoi përdorimin e tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe arrestimet arbitrare, dhe theksoi presionet mbi komunitetin akademik.
Sa i përket mediave, ai tha se situata mediatike është frikësuese në shumë nivele, dënoi frikësimin dhe sulmet ndaj gazetarëve, dhe theksoi se liria e shprehjes është nën presion gjithnjë e më të madh, se mediat pro-qeveritare reflektojnë kultin e personalitetit dhe se ka përpjekje për të eliminuar mediat e mbetura të pavarura.
Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës./Paparaci.com










