Barcelona pati një mbrëmje zhgënjyese të shtunën, pasi u ndal në një barazim 1-1 nga Real Betis në Estadi Olímpic Lluís Companys, dhe për sulmuesin kryesor të skuadrës, Raphinha, situata doli jashtë kontrollit pas fishkëllimës përfundimtare.
Në një video të publikuar nga tifozët në rrjetet sociale, që tregonte skenat pas përfundimit të ndeshjes, Raphinha shihet duke reaguar me zemërim ndaj gjyqtarit. Ai pati përplasje edhe me disa lojtarë të Betisit, madje gati sa nuk u konfliktua fizikisht me shokun e tij të skuadrës, Marc-André ter Stegen, pranë zonës së pankinës.
Sipas gazetës Mundo Deportivo, janë zbuluar detaje mbi arsyen e zemërimit të Raphinhës, i cili ishte i drejtuar ndaj gjyqtarit Jesús Gil Manzano dhe njërit prej asistentëve të tij. Ylli brazilian thuhet se i ka thënë këtij të fundit:
“Ti nuk më thua mua të mbyll gojën”,pas një shkëmbimi fjalësh mes tyre në minutat e fundit të ndeshjes.
Hansi Flick dhe Ter Stegen u përpoqën ta qetësonin Raphinhën, ndërsa edhe Robert Lewandowski shihet duke i kërkuar që të largohet nga situata. Duke qenë se zemërimi i tij ishte shumë i dukshëm, Barcelona mund të jetë e shqetësuar për ndonjë ndëshkim të mundshëm. Megjithatë, në raportin e gjyqtarit nuk përmendet asgjë për sjelljen e Raphinhës, gjë që nënkupton se nuk do të ketë pasoja disiplinore.
Raphinha nuk e nisi titullar ndeshjen ndaj Betisit, pasi trajneri Flick zgjodhi të ruante disa lojtarë për sfidën e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Borussia Dortmund, që zhvillohet po në Estadi Olímpic të mërkurën. Braziliani u aktivizua në pjesën e dytë në vend të Ferran Torres, i cili pati një ndeshje të qetë përveç asistit për golin e Gavit.