Raphinha: Mund ta merrnim një rezultat më të mirë, në Milano do të jetë gjithçka e hapur

“Duke luajtur në shtëpi ndjenja është që kemi mundur ta nxirrnim një rezultat dukshëm më të mirë.”

Ylli i Barcelonës, Raphinha e ka komentuar kështu në mikrofonin e “Movistar” barazimin 3:3 me Interin në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, përcjell “Gazeta Express”.

“Është me vend që t’i japim komplimente të mëdha Interit, sepse e ka bërë vërtet një punë të mirë dhe ky ekip është i fortë posaçërisht në goditjet nga këndi”, vazhdoi ylli brazilian.

Ai i dha hapësirë edhe analizës së lojës së mbrëmshme, e cila ishte vërtet spektakolarë.

“Ishim në disavantazh prej dy golash, por kemi mbetur të qetë dhe kemi filluar të luftojmë për ta përmbysur rezultatin. Nisëm ta luanim lojën tonë dhe duke e imponuar planin tonë të lojës”, shtoi sulmuesi i krahut.

“Ndoshta kemi ndërmarrë shumë rreziqe, por e donim një rezultat pozitiv dhe puna e jonë ishte që të mundoheshim ta siguronim një fitore qysh në lojën e parë.”

“Rezultati nuk është më i keqi në botë. Gjëja më e rëndësishme për ne është që ta arrinim një rezultat që do të na mundësonte që në Milano të shkojmë duke e ditur se mund të ndodh gjithçka atje.” /Gazeta Express