Raphinha kundër Botërorit për Klube: Askush nuk i pyet lojtarët për çfarë po ndodh

Anësori i Barcelonës, Raphinha, ka dhënë disa deklarata të ashpra në lidhje me trajtimin që iu është rezervuar atyre lojtarëve, që ishin të detyruar të udhëtonin drejt SHBA për të marrë pjesë në Kupën e Botës për Klube.

Kritika e tij kryesore ka të bëjë me faktin se lojtarëve nuk iu është dhënë realisht kohë pushimi, pasi brenda një kohe shumë të shkurtër kaluan nga angazhimet me klubin te kombëtarja dhe më pas sërish te klubi për të luajtur në këtë kompeticion të FIFA-s.

Më poshtë janë fjalët e tij, të thëna gjatë një eventi në Sao Paulo: “Si lojtar i një klubi europian, më duket se të gjithë duhet të jenë me pushime, apo jo? Është e ndërlikuar për ne të heqim dorë nga pushimet, kemi të drejtë për to. Të gjithë i meritojnë të paktën tri javë, ose një muaj pushime. Shumë prej atyre që janë në Kupën e Botës për Klube nuk do t’i kenë këto pushime. Askush nuk i ka pyetur lojtarët nëse ishin dakord me këto angazhime.

Unë jam me pushime, edhe kolegët e tjerë duhet të jenë. Bashkëkombasit e mi te PSG, për shembull, fituan Ligën e Kampionëve dhe mezi patën kohë të festonin titullin e tyre. Shkuan të luanin me kombëtaren dhe menjëherë pas saj udhëtuan për të marrë pjesë në këtë Kupë Bote për Klube. Nuk janë ndalur fare”.

The post Raphinha kundër Botërorit për Klube: Askush nuk i pyet lojtarët për çfarë po ndodh appeared first on Telesport.