Ramiz Lladrovci: Dy fjalë pas përkujtimit të 20 vjetorit të kidnapimit të Dr. Hafir Shala
Pas Akademisë kushtuar 20 vjetorit të zhdukjes së Dr. Hafir Shalës, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka kërkuar nga Prokuroria speciale hetimin e rastit.
Ja postimi i Lladrovcit në Facebook:
Dy fjalë pas përkujtimit të 20 vjetorit të kidnapimit të Dr. Hafir Shala
Sot, me Akademi, në Drenas, është përkujtuar patrioti, veprimtari, ish i burgosuri politik dhe humanisti i madh, ndër mjekët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Hafir Shala.
Dr. Hafiri dhe Familja e tij, meriton çdo respekt. Një Akademi, kushtuar jetës e veprës së tij, është e pamjaftueshme të pasqyrojë gjithë aktivitetin e tij patriotik e profesional, në shërbim të çlirimit të vendit tonë.
Sot, jam ndjerë në veçanti i prekur, kur përpjekjet e mia të para disa viteve, po ripërsëriten dhe fati i Dr. Hafirit, mbetet ende enigmë!
Unë kam ndjerë obligim, për shkak të lidhjeve të sinqerta familjare me heroin Hafir Shala dhe me të drejtë, kam ngritur shqetësimet e mia për mënyrën e zhdukjes së tij, kur dihen njerëzit që mund të flasin për këtë rast tragjik.
Edhe atëherë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe sot, si kryetar i Drenasit, theksoj se dihen personat që kanë njohuri për kidnapimin e Dr. Hafir Shalës. Ata janë gjallë.
Kam kërkuar nga Prokuroria speciale të intervistojë personat që dinë për rastin e zhdukjes së Dr. Hafirit, doktorrit të UÇK-së. Ata dëshmitarë së paku të japin një sqarim zyrtar për Familjen Shala dhe për opinionin se çka ka ngjarë me të.
Shpreh keqardhje për “mësuesin” që para disa vitesh e pengonte fjalën time për ndriçimin e rastit në Kuvendin e Republikës, e sot, në emisionin dokumentar, kushtuar Dr. Hafir Shalës, reflektonte ndryshe.
Kontributi i secilit për çështjen e zbardhjes së rrethanave të kidnapimit dhe zhdukjes së Dr. Hafirit dihen.
Një porosi për të gjithë ata që duan ta blejnë të kaluarën: Kot e keni, e kaluara mbetet çfarë ishte, ajo nuk blihet!
Sërish i bëj thirrje Prokurorisë, hetoni njerëzit e gjallë, dëshmitarë të zhdukjes së Dr. Hafir Shalës!
Lavdi jetës dhe veprës së Dr. Hafir Shalës!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!