Rama u kërkon shqiptarëve t’i bashkohen në vizionin e Shqipërisë 2030

Në një tubim të madh në Sheshin Skënderbej në zemër të Tiranës, Rama mbajti një fjalim të përmbajtur në aspektin të politikës së brendshme dhe vëmendjen kryesore e vendosi te fushata për anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore të zgjedhjeve të 11 majit, duke u bërë një thirrje të qartë shqiptarëve, që t’i bashkohen atij në vizionin e Shqipërisë 2030 dhe të braktisin opozitën, e cila jo progres, por sipas tij sjell vetëm regres në rrugën e nisur.

Në një tubim të madh në Sheshin Skënderbej në zemër të Tiranës, Rama mbajti një fjalim të përmbajtur në aspektin të politikës së brendshme dhe vëmendjen kryesore e vendosi te fushata për anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Duke iu referuar pikërisht Skënderbeut e nisi ai fjalën e tij përpara mbështetësve, por edhe skuadrave socialiste në 12 qarqe, duke thënë qartë se vendi i shqiptarëve është familja e madhe evropiane dhe se me një mandat të katërt socialist, vitet e mbetura për këtë ëndërr të madhe nuk do të jenë më shumë se katër.

Pra, jo më shumë se sa synimi i parashtruar më herët, i Shqipërisë 2030 në BE.

Rama kërkon të fitojë bastin historik me Evropën. Thotë se Shqipëria gjendet vetëm 30 mëngjese larg mandatit të fundit për ta futur Shqipërinë në BE.

Zgjedhja sipas tij në këto votime mbetet shumë e qartë: Me Shqipërinë në BE, apo me Shqipërinë në gropë (i referohet koalicionit opozitar).

Ndërsa mban një ligjërim mbi këtë, i cili përmend:

“Kemi 30 ditë përpara për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar e shqiptare që e do zonjën Shqipërisë në sallonin e BE-së dhe veten e vet qytetarë e qytetare të barabartë të Evropës. Prandaj, edhe është krejt ndryshe nga të gjitha herët e tjera mbledhja jonë sot këtu, në këtë shesh, ku qëndron dëshmitar dhe udhërrëfyes stoik shëmbëlltyra e profetit tonë kombëtar, Skënderbeu”.

Ka rëndësi sipas Ramës edhe për një fakt tjetër, atë të ndryshimit rrënjësor të Shqipërisë:

“Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria sot nuk do të jetë njësoj gjëkundi me Shqipërinë 2030. Mbase edhe këneta opozitare do të jetë tharë deri atëherë por kjo është e vetmja gjë që ka në dorë pakica dhe jo shumica e shqiptarëve. Shqipëria 2030 do të jetë Shqipëri e re, vend me një tjetër pozicion e tjetër fuqi si shtet anëtar i një familjeje të madhe lirish, të drejtash e mundësish që sot s’i kemi akoma dhe që as nesër s’mund t’i kemi pa u bërë pjesë e asaj familjeje. Kush hyn në atë shtëpi nuk luan do më kukafshehti me qytetarët e vet. Në atë familje askush s’e vë dot në pikëpyetje barazinë para ligjit për qytetarët e vet”.

Ai theksoi se 11 maji është momenti kyç për të vendosur nëse Shqipëria do të përparojë drejt Bashkimit Evropian, apo do të ngelet e bllokuar në një situatë të pasigurt.

Duke kaluar në rrafshin e brendshëm, Rama më së shumti përmend arritjet në imazhin e vendit, në infrastrukturë, apo edhe në rritjen e pagave dhe kontributeve në Shqipëri.

Mirëpo, e vendos veten në pozitën edhe të një shteti që mund të jetë nesër pjesë e BE-së dhe këmbëngul se nëse sot investimet janë në nivele të larta, në kohën kur Shqipëria të anëtarësohet këto investime do të shumëfishohen.

Lidhur me rivalët, ironizon herë pas here gjatë fjalimit kundërshtarët politikë, duke përqendruar vëmendjen më të madhe në figurën e Chris LaCivita, i cili sipas tij është i zgjuar sepse po merr paratë për një fushatë ku çfarëdo të bëjë, opozita është e humbur.

Merr sërish meritat e plotë për reformën në Drejtësi, për faktin se tashmë zyrtarët hetohen njëjtë me të gjithë dhe nuk ka trajtime preferenciale nga Drejtësia.

Por, në fund, thelbi mbetet ai: “Vetëm ne kemi në dorë fatin evropian të vendit”.

Kjo është klithma e Ramës në këto zgjedhje. Ky është slogani. Ky është edhe qëndrimi përballë qytetarëve, të cilëve u kërkon qartë të rreshtohen me PS-në, të braktisin “kënetën” (siç e quan ai opozitën) dhe t’i bashkohen vizionit të Shqipërisë 2030.