Sipas tij në Shqipëri ka diçka që nuk e gjen askund tjetër. Përmes batutave, Rama tha se dhe kafja këtu (në Shqipëri) pihet ashtu siç duhet, ndërsa në Angli jo.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes podkastit të tij “Flasim”, ka gjetur rastin t’u bëjë thirrje shqiptarëve në Britaninë e Madhe, që të rikthehen në atdhe dhe të investojnë.
Sipas tij në Shqipëri ka diçka që nuk e gjen askund tjetër. Përmes batutave, Rama tha se dhe kafja këtu (në Shqipëri) pihet ashtu siç duhet, ndërsa në Angli jo.
“Se ka një gjë këtu, që nuk e gjen dot në asnjë vend tjetër, ajo gjëja që kam kuptuar unë kur jam kthyer, e merrni vesh edhe ju. Hajdeni, kthehuni. Për hir të vetes, kthehuni të pini një kafe tamam. A pihet kafja në Angli më thuaj mua?!”, përshkroi Rama përmes batutash.
Ndër të tjera, kreu i Qeverisë ka shkëmbyer edhe batuta me të ftuarit e tij të radhës në podkast, duke i etiketuar holandezët si “gjirokastritët e Evropës”, pasi vijnë vetëm të bërë qejf.
Sipas tij, holandezët janë të pasionuar pas natyrës, por gjithashtu janë të zgjuar në menaxhimin e shpenzimeve. Ai shtoi se, përkundër disa komenteve që sugjerojnë se Shqipëria është më e shtrenjtë se Evropa, kjo nuk është e vërtetë.
“Holandezët janë tregtarët më të mëdhenj, vijnë këtu se është më lirë. Ata janë gjirokastritët e Evropës, gjirokastritët përpara holandezëve janë bujarë, ‘tironca’. Ata e duan natyrën por kanë çdo gjë tek xhepi. Ju jeni mjeshtër, ata paguajnë më pak. Këtu është qejf o qejf është për ata. Ka nga ata që thonë se këtu është më shtrenjtë se në Evropë, por kjo nuk është e vërtetë”, theksoi Rama.