Rama: Të gjithë duhet të mbrojmë vlerat e UÇK-së – procesi në Hagë është i stërzgjatur

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rëndësinë kombëtare të mbrojtjes së vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke apeluar për unitet shoqëror përtej përkatësive politike.

Në një intervistë për VOX Kosova, Rama tha se çështja e UÇK-së “është çështje e vlerave kombëtare”, ndaj “i gjithë populli duhet t’i dalë në ballë, pa marrë parasysh përkatësinë apo mendimin politik”.

Ai kujtoi se që nga fillimi i mandatit të tij, Komuna e Prishtinës ka krijuar një sektor të posaçëm brenda kabinetit të kryetarit, i cili merret drejtpërdrejt me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të UÇK-së.

“Është çështje e vlerave kombëtare të cilave normal që duhet me iu dalë në ballë i gjithë populli pa marrë parasysh përkatësisë, mendimit apo kahjes partiake. Këtë e kam tregu qysh tash gati katër vite që ne si Kryeqytet jemi të parët dhe të vetmit deri sot që e kemi sektorin përbrenda Kabinetit të Kryetarit që merret drejtpërdrejt me vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Normal që unë i kam përkrahë protestat të cilat kanë qenë të drejta dhe kanë qenë për me i mbrojtë këto vlera. Kanë qenë për drejtësi që t’i shtyjmë proceset përpara për të mirën e kombit tonë, herojnëve tanë, një lufte që ka qenë e drejtë, luftë çlirimtare.” – tha Rama.

Duke iu referuar procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Rama e quajti atë një proces të stërzgjatur, por shprehu besim në drejtësi, duke shpresuar se “e drejta do të triumfojë dhe procesi do të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Normal që ajo çka ndodh sot në Hagë është një proces i stërzgjatur ku edhe unë po them besoj në drejtësi që e drejta duhet të triumfojë, të fitojë dhe të përfundojë procesi sa më shpejtë që është e mundur.” – tha Rama për VOX Kosova.