Rama takon Prattipatin: Bashkëpunimi me ShBA-në, një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është takuar me të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.

Rama shkroi se bashkëpunimi i ngushtë dhe i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të Prishtinës, transmeton Klankosova.tv.

Pos tjerash, ai tha se Prattipati ia përcolli atij urimet për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Prishtinën dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm.

“Bashkëpunimi i ngushtë dhe i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të Kryeqytetit. Sot, në Odën e Kryeqytetit, pata kënaqësinë të mirëpres Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasada e SHBA-së në Kosovë, e cila më përcolli urimet për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Prishtinën dhe zhvillimin e saj të gjithanshëm”, ka shkruar i pari i Prishtinës.

“Ky partneritet përfaqëson shumë më tepër sesa bashkëpunim institucional, ai është një aleancë vlerash, e ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen”.